Konferenca e Kryetarëve caktoi sot datën 16 maj si raundin e parë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Deri në këtë datë maxhoranca dhe opozita, kjo e fundit nëse do të marrë pjesë në proces, duhet që t’i çojnë Kuvendit kandidatët që do të votohen më pas në Seancë Plenare.
Kushtetuta përcakton se për zgjedhjen e Presidentit Kuvendi mund të votojë deri në 5 raunde dhe nëse dështon atëherë shpërndahet Parlamenti dhe shkohet në zgjedhje të reja. Por, ndryshimet e fundit në Kushtetutë e minimizojnë fare këtë mundësi pasi në raundin e katërt dhe të pestë, Presidenti mund të zgjidhet me 71 vota nëse gjatë tre raundeve të para nuk është siguruar shumica e cilësuar prej 84 votash.
Deri më tani maxhoranca nuk ka propozuar ndonjë emër, ndërkohë që nuk ka përjashtuar askënd, kurse opozita ka të parapëlqyer Neritan Cekën dhe Visa Zhitin.
Më poshtë, abcnews.al sjell disa nga emrat më të përfolur për President deri më tani:
Majlinda Bregu
Një tjetër kandidate që është bërë pjesë e diskutimeve mediatike është edhe ai i ish-deputetes dhe ish-ministres demokrate, Majlinda Bregu. Ajo drejton Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe mund të përbëjë një kandidaturë konsensuale.
Visa Zhiti
Visar Zhiti vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë dhe është një ndër propozimet e opozitës për President.
Neritan Ceka
Arkeologu Neritan Ceka është po ashtu propozim i opozitës për në krye të shtetit. Ceka ka shërbyer si ministër dhe ambasador i Shqipërisë.
Mimi Kodheli
Një nga kandidatet e mundshme është Mimi Kodheli, ish-ministre e Mbrojtjes dhe aktualisht kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme.
Mentor Petrela
Mjeku i njohur, një ndër emrat që përflitet sa herë kërkohet një President, është kësaj radhe propozim i opozitës për këtë post.
Pandeli Majko
Pandeli Majko është gjithashtu një tjetër emër i përfolur jo pak si një kandidatë potencial për pozicionin e presidentit. Ai vjen me një karrierë të gjatë politike, teksa ka mbajtur dy herë postin e kryeministrit dhe disa poste ministrash.
Vali Bizhga
Bizhga ka qenë një ndër bashkëpunëtoret më të ngushta të Ramës kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës dhe gjatë mandatit të parë të qeverisjes. Ajo dukej në “pole position” deri sa Rama mohoi publikisht kandidaturën e saj.
Fatos Nano
Nuk mund të mbetej jashtë kësaj liste ish-lideri socialist Fatos Nano. Me një karrierë të gjatë politike ai e ka pasur një ambicie të hershme zgjedhjen në krye të Presidencës.
Dritan Demiraj
Koloneli Dritan Demiraj është gjithashtu një tjetër emër i propozuar nga shoqata “Vatra” për President të Republikës.
Lulzim Basha
Ish-kreu i PD Basha është përfolur se do të jetë mes kandidaturave, por kjo është mohuar nga kryeministri Rama.
Sazan Guri
Pjesë e listës së kandidatëve është bërë edhe ambientalisti, Sazan Guri. Ky i fundit është vetëofruar për të qenë kandidat për kryetar shteti.
Eleni Kocaqi
Ndër emrat më popullor në sondazhe është përzgjedhur historiania shqiptare zonja Elena Kocaqi.
Në SONDAZHIN e abcnews.al mund të jepni votën tuaj për secilin nga kandidatët.
/abcnews.al/