Kandidatët për Këshillin Bashkiak të PD-së në bashkinë e Vaut të Dejës kanë dalë në mbështetje të Zef Hilës, kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Në deklaratën e përbashkët, thuhet se ata distancohen nga kandidaturat që kanë dalë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve.
“Ne i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit, që të bashkuar të mbështesim kandidatin e përbashkët të demokratëve, z. Zef Hila dhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë.”, thuhet mes të tjerash në reagim.
DEKLARATË E KANDIDATËVE TË PARTISË DEMOKRATIKE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË BASHKISË VAU DEJËS
Ne, kandidatët për këshilltarë të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vau Dejës, duke falenderuar Kryesinë e Degës dhe strukturat e PD, Dega Vau Dejës, për besimin dhe mbështetjen, shprehim qëndrimin tonë lidhur me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 Majit 2023:
Ne sot, me anë të kësaj deklarate, shprehim hapur mbështetjen tonë për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” z. Zef Hila.
Ne distancohemi nga çdo kandidaturë personale e kujtdo qoftë ajo, përfshirë edhe të kryetarit të komanduar të PDSH-së, për sa kohë kjo kandidaturë është nxjerrë në kundërshtim me vullnetin e demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit.
Ne i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve të bashkisë së Vau Dejësit, që të bashkuar të mbështesim kandidatin e përbashkët të demokratëve, z. Zef Hila dhe listën e kandidatëve për Këshillin Bashkiak të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Z. Zef Hila është ish-kryebashkiaku jonë, është Deputeti ynë, është njeriu më i votuar dhe më i mbështetur i kësaj zone, dhe po ashtu edhe në listën tonë për këshilltarë bashkiak janë përfshirë gra dhe burra të ndershëm, profesionistë e me integritet, me kontribute për komunitetin tonë, e të gjithë janë të gatshëm për të punuar me përkushtim dhe me besim, për fitoren e padiskutueshme të
Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak dhe të z. Zef Hiles si kryetar i ardhshem i Bashkisë Vau Dejës me 14 Maj./abcnews.al