Mjekja endokrinologe, Blertina Dyrmishi në “Spitalin Hygeia” thekson se gjatë viteve të fundit, incidenca e kancerit të tiroides është rritur në shifra të konsiderueshme por jo fataliteti. Kjo pasi janë shtuar procedurat diagnostikuese por edhe si rrjedhojë e shtimit real të numrit të të prekurve nga ky kancer.
E ftuar në “Abc-ja e mëngjesit”, doktoresha shpjegoi se efektet e gjëndrës tiroide prekin të gjithë organizmin. Ajo theksoi se incidenca e këtij kanceri rritet me moshën dhe prek kryesisht femrat në krahasim me meshkujt. Dyrmishi shtoi se vetëm një përqindje e vogël përfshin raste agresive.
Sipas saj, shenjat janë të shumta por ndër më dallueset është një ndryshim në pjesën e përparme të qafës. “Ulja e funksionit të tiroides fillon me tendencën për shtim në peshë, lodhje të shtuar, përgjumje, rënie të flokëve, dëmtim të thonjve, ulje të ritmit të zemrës apo dhe një nivel më të lartë të kolesterolit në gjak.
Kemi tharje të lëkurës, vështirësi në jashtëqitje. Ndërsa sa i përket rritjes së funksionit të tiroides, kemi tendencë që të humbim peshë, kemi një ndjenjë nxehtësie më të shtuar, rrahje të shpeshta të zemrës, rënie të flokëve, diarre, dridhje të duarve, ritëm jo normal të zemrës, kryesisht me moshë.”, tha ajo.
Ajo shpjegoi faktorët që ndikojnë në shfaqjen e kancerit të tiroides. “Ndikojnë faktorë të jashtëm. Është vërtetuar se, sidomos në fëmijëri, nëse janë nënshtruar rrezatimeve në zonën e qafës për arsye të tjera, rritet mundësia për një incidencë të shtuar për kancerin e tiroides por dhe kur kanë forma gjenetike.
Mendohet dhe për faktorët ambientalë, ku kemi një predispozitë familjare. Një tregues është dhe estrogjeni sepse kancerin e tiroides e gjejmë më shpesh te femrat krahasuar me meshkujt. Rritet me moshën. Përgjithësisht te moshat 40-50 vjeç por e hasim dhe poshtë moshës 20 vjeç.“, u shpreh doktoresha.
Ajo tha se trajtimi konsiston në heqjen e masës me operacion.”Shumica e kancereve kanë një sjellje jo shumë agresive, mbi 90 %. Më pak se 10 % janë agresive. Këto forma që janë agresive hasen në mosha mbi 70-80 vjeç. Ndërsa forma tjetër fillon me kirurgji po ka dhe mbështetje për kimioterapi në varësi të stadit.”
Si parandalohet?
“Duhet të kemi një stil jetese aktiv. Nuk duhet të bëjmë obezitet. Nëse kemi një historik në familje, duhet të bëjmë kontrolle më të shpeshta. Nëse kemi një zmadhim në zonën e qafës, edhe pse nuk kemi dhimbje, duhet të shkojmë te mjeku. Duhet të përdorim ushqime, kryesisht produkte deti që janë të pasura me jod.”, tha doktoresha. /abcnews.al