Kanceri i mushkërive, ISHP: I pari për numrin e personave të prekur

schedule19:45 - 30 Tetor, 2018

schedule 19:45 - 30 Tetor, 2018

Vetëm në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë mjekët kanë diagnostikuar rreth 700 persona me kancer në mushkëri vitin e shkuar. Specialistët e Shëndetit Publik e rendisin këtë sëmundje të parën për numrin e personave që prek dhe vdekjet që shkakton në vendin tonë. Shkak sipas tyre është duhanpirja dhe ndotja.

Nje person, i cili konsumon më shumë se 200 cigare në vit ka 80% mundësi të preket nga kanceri i mushkërive pas dy dekadash. Konkluzioni vjen nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik sipas të cilëve kjo sëmundje qëndron në vend të parë në grupin e tumoreve si për numrin e të prekurve ashtu dhe për vdekshmërinë. Vetëm në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi” në Tiranë mjekët thonë se vitin e shkuar kanë diagnostikuar me kancer në pulmone rreth 700 persona. Në rreth 300 prej tyre sëmundja është kapur në stade të avancuara.

“Rreth 80 përqind e rasteve të diagnostikuar me kancer të pulmonit në spitalin “Shefqet Ndroqi” kanë si faktor kryesor duhanpirjen. Nuk duhet të harrojmë dhe duhanpirjen pasive. Njerëzit që marrin pjesë dhe qëndrojnë nëpër ambiente të tilla të ndotura jo vetëm nga cigarja, por edhe elementë të tillë si amianti, silici dhe ndotës të tjerë ka një predispozitë rreth 20 përqind që edhe ata të shfaqin një kancer pulmoni”, tha Kozeta Filipi, specialiste në ISHP.

Duhanpirja konsiderohet shkak parësor i kancerit të pulmonit, ndërsa pas saj vjen ndotja. Kjo dëshmohet edhe nga qytetet me numrin më të madh të personave të prekur.

“Pacientët me kancer pulmoni zënë vendin kryesor nëpër qytete të cilat rezultojnë të ndotura siç është Elbasani, Fieri, Kukësi. Kjo ka të bëjë dhe me industrinë e përhapur në këto qytete”, tha Filipi.

Mjekët thonë se mosha mesatare e personave të prekur është rreth të 50-ave ndërkohe që vitet e fundit vihet re një rritje e numrit të femrave të prekura nga kanceri i plumonit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!