Kanceri i gjirit po prek edhe moshat e reja/ Mjekja apelon për kontrolle: Ecuria është shpresëdhënëse nëse kapet në fazat fillestare

schedule17:51 - 4 Tetor, 2023

schedule 17:51 - 4 Tetor, 2023

Mjekët kanë vënë re një numër të shtuar të grave dhe vajzave në moshë të re që preken nga kanceri i gjirit ndaj apelojnë për kontrolle dhe kujdes më të shtuar. Mjekja onkologe Esmeralda Sera thekson se statistikat e vitit 2023 tregojnë 30 përqind më shumë raste të grave dhe vajzave me kancer gjiri.

Në një intervistë për “NewsLine” me gazetaren Viol Xhafaj, e pyetur për shkaqet, mjekja theksoi se faktorët janë të kombinuar, duke nisur nga faktorët gjenetikë, mënyra e jetesës apo faktorët e jashtëm siç mund të jetë stresi. Një ndër simptomat kryesore është kokrra që mund të vënë re gratë në gji.

“Të gjitha gratë paraqiten me një simptomë kryesore, që është një masë që ata kapin në gji. Kjo është kambana e parë e çdo gruaje. Ose mund të vijnë për ndryshimin në lëkurën e gjirit të tyre, mund të vijnë për një rrjedhje nga gjiri, për një masë që kapin në sqetull por ankesa kryesore është kapja e masës kryesore në gji. Nuk duhet neglizhuar dhe duhet shkuar tek mjeku përkatës pavarësisht moshës.

Moshat më të rrezikuara kanë qenë moshat mbi 60 vjeç por tani shikojmë se po na paraqiten gjithmonë e më shumë gra të reja në spital, të cilat po diagnostikohen me kancer gjiri. Shumë gra nën 40 vjeç po paraqiten gjithnjë e më tepër. Për të gjitha, sidomos dhe për faktorin gjenetik që luan një faktor të madh.“, theksoi mjekja.

Një rrezik më të shtuar kanë edhe gratë me histori familjar të kësaj sëmundjeje. Sipas mjekes, ata duhet t’i drejtohen mjekut para moshës 25 vjeç për të kryer kontrolle.

“Duhet të kemi parasysh se të gjitha gratë që kanë trashëgimi, duhet të kenë të paktën dy gra të shkallës së parë që kanë vuajtur nga kanceri i gjirit në moshë të re, ose nga kanceri i vezoreve. atëherë këtu kemi të bëjmë me faktor rreziku dhe duhet t’i drejtohen mjekut para moshës 25 vjeç.”, u shpreh ajo.

Kur duhet të bëhet mamografia?

“Mamografia bëhet mbi moshën 40 vjeç, zakonisht tek gratë që nuk kanë faktor risku mund të bëhet çdo dy vjet. Por edhe para 40 vjet bëhet tek të gjitha gratë që kanë malinjitet. Një herë në vit tek ato gra që kanë rrezik duhet të kryhet mamografia, dhe njëherë në dy vjet tek ata që num kanë faktor rreziku për kancer.”

Mjekja theksoi edhe njëherë rëndësinë e kontrolleve të shpeshta dhe kapjes së sëmundjes në fazat e hershme.

“Kapja e kësaj sëmundje në fazat fillestare, sidomos e kancerit të gjirit, është gati e shërueshme sepse me trajtimin e duhur ka një prognozë ekselente. Prandaj duhet të bëjmë kontrolle të vazhdueshme që ta kapin në faza fillestare dhe ta kurojmë. Kjo është një mjaft pozitive. Momentalisht ne do të donim që këtë sëmundje ta kthenim në sëmundje të shërueshme. Për momentin e kemi një sëmundje kronike. Tek të gjitha gratë në fazat fillestare dhe që kurohen drejt, ecuria është mjaft shpresëdhënëse.“, theksoi mjekja./abcnews.al