Kanceri i gjirit, mjeket: Në cilat raste duhet të kontrolloheni edhe nëse jeni në moshë të re

schedule12:17 - 21 Tetor, 2021

schedule 12:17 - 21 Tetor, 2021

Tetori është muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit. Megjithatë, ekspertët bëjnë thirrje që gratë dhe vajzat të kujdesen për ta parandaluar këtë sëmundje në 365 ditë të vitit dhe jo vetëm gjatë këtij muaji.

Emilia Huti, onkologe në spitalin Hygeia e ftuar në “Abc Live” me Juli Xhokaxhi tregoi se gratë që kanë në familjen e tyre të afërme me kancer të gjirit, duhet të jenë shumë herë më të kujdesshme.

Sipas saj nëse të gjitha zonjat kanë një risk prej 20 për qind për të pasur kancer gjiri gjatë jetës së tyre, për ato që kanë histori të tilla në familje risku shkon në 60 për qind. Në këtë rast, edhe kujdesi duhet më i madh.

“Nëse bëhet mamografi, mjeku parashikon nivelin e riskut dhe se çfarë protokoll ndjekje do të ketë një grua. Nëse ka një faktor të lartë risku bëhen analiza gjenetike.”

Kurse, Silvana Çeliku, shefe e shërbimit Onkologjik në QSUT u shpreh se në vitet e fundit është vënë re një ndërgjegjësim tek gratë dhe vajzat. Numri i pacienteve që vinë në stade të avancuara është ulur.

“Një pjesë e mirë e pacientëve vijnë të dërguar nga mjekë të familjes. Vijnë edhe të diagnostikuara. Si media, si qeveria, si ne të gjithë së bashku kemi filluar të bëjmë një promovim dhe kemi një rritje të nivelit të ardhjes së grave në faza kur kanë shenja minimale. Kemi një rritje të numrit të grave që paraqiten tek ne në stade të para dhe të dyta. Pandemia ka dikuar për keq.”  

Por a shoqërohet kjo me ulje të vdekshmërisë? Shefja e Onkologjikut shprehet se për fat të mirë në vendin tonë kanceri i gjirit mbulohet me mjekime në thuajse të gjitha nivelet.

“Kanceri i gjirit mbulohet me mjekime thuajse në të gjitha nivelet. Edhe me medikamente që kanë hyrë së fundmi. Kjo ka ndikuar në rritjen e jetëgjatësisë. Nuk kemi rritje, por nuk kemi as ulje të dukshme. Trend shumë i mirë, të paktën për momentin.”

Mjeket në studio theksuan po ashtu rëndësinë që vigjilente ndaj shenjave të para të kësaj sëmundjeje të mos jenë vetëm gratë mbi 40 vjeç por edhe ato më të reja.

“Kanceri i gjirit është më karakteristik për moshat mbi 40 vjeç. por ka pasur edhe 20-22 vjeçare. Nëse kemi trashëgiminë tonë, teze, halla, nënë, gjyshe, këto vajza duhet të nisin të interesohen për shëndetin e tyre që në moshë të hershme. Çdo grua duhet të kontrollojë gjinjtë nëse diçka nuk shkon mirë. Duhet pasur parasysh që duhet parandaluar, të behet eko për të kapur ndryshime të vogla. Nëse e prek me dorë mund të mendosh që ke një kancer të avancuar,” thotë Çeliku.

Kurse, onkologia Huti nga Spitali Hygeia tregon se moshat e reja kanë një tendencë më të madhe për t’u kontrolluar.

“Moshat e reja vijnë më shpejt dhe më shpesh sesa moshat e rrezikuara. Vijnë të tmerruara sapo prekin diçka në gji. Masat në gji tek moshat e reja në pjesën më të madhe janë masa beninje. më shumë na dëmton stresi.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!