Kancelari austriak, Karl Nehammer ka bërë me dije se në takimin që ka zhvilluar me presidentin rus Vladimir Putin i ka konfirmuar se furnizimi i Austrisë me gaz nga Rusia është i sigurt dhe vendi mund të vazhdojë të paguajë për të në euro.
Nehammer u takua me Putinin pranë Moskës të hënën dhe deri më tani nuk e kishte përmendur publikisht diskutimin e tyre mbi sigurinë e furnizimit me gaz të Austrisë.
Austria importon 80 për qind të gazit natyror nga Rusia dhe kundërshton një embargo të menjëhershme të gazit të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, duke argumentuar se kjo nuk është e mundur për momentin.
Ndër të tjera në media raportohet se Putin i ka premtuar kryeministrit austriak furnizim të sigurtë me gaz.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 31 mars se ka nënshkruar një dekret ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriten nëse këto pagesa nuk do të kryhen./abcnews.al