Izraeli ka reaguar pas njoftimit se Kanadaja, Britania dhe Australia morën vendimin për njohjen e Palestinës.
Përmes një njoftimi, ministria e Jashtme izraelite tha se ky veprim është shpërblim për Hamasin.
“Njohja nuk është gjë tjetër veçse një shpërblim për Hamasin xhihadist – të inkurajuar nga Vëllazëria Myslimane e lidhur me të në Mbretërinë e Bashkuar. Vetë udhëheqësit e Hamasit e pranojnë hapur: kjo njohje është një rezultat i drejtpërdrejtë, “fryti” i masakrës së 7 tetorit. Mos lejoni që ideologjia xhihadiste të diktojë politikën tuaj.”, thuhej në deklaratë.
Britania, Kanadaja dhe Australia u bashkohen më shumë se 140 vende të tjera në njohjen e shtetit palestinez.
Britania dhe Kanadaja u bënë vendet e para të grupit të G7-ës që ndërmorën këtë hap, ndërsa Franca dhe vende të tjera pritet të ndjekin shembullin e tyre gjatë Asamblesë së Përgjithshme vjetore të OKB-së, e cila nis të hënën në Nju Jork.
Lufta në Gaza nisi pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë./abcnews.al


