Kanabisi në repartin e Zall Herrit, jepet masa e sigurisë për 3 ushtarakët

schedule11:08 - 7 Gusht, 2023

schedule 11:08 - 7 Gusht, 2023

Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë arrest në burg për 3 ushtarakët e arrestuar për shpërdorim detyre, pas zbulimit të 125 bimë kanabis brenda repartit ushtarak të Zall Herrit.

Gjyqtari Taulant Banushi pranoi kërkesën e prokurorisë që 3 ushtarakët të mos lirohen nga qelia.

Në pranga përfunduan, Gramoz Mullai, 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë; Rustem Koçi, 25 vjeç dhe Gentian Zhurda, 45 vjeç, të dy me detyrë Specialist Sigurie.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, ata mohuan të kenë djeni lidhur me mbjelljen e kanabisit.

Tre ushtarakët theksuan se janë 140 hektarë tokë dhe nuk kanë pasur mundësi për ta kontrolluar të gjith këtë sipërfaqe. Po ashtu, ata kanë pretenduar se kanë njoftuar edhe eprorët e tyre se territori në zonë ishte i thyer dhe i vështirë për t’u kontrolluar i gjithë.

Prokuroria i akuzon tre ushtarakët për shpërdorim detyre, ndërsa avokatët e tyre mbrojtës i thanë gjykatës se pa akt ekspertimi nuk mund t’i akuzojnë për kultivim të lëndëve narkotike.

Lidhur me këtë operacion po hetohen në gjendje të lirë 4 persona të po këtij reparti. Konkretisht komandanti dhe zëvëndës komandanti i repartit si dhe një specialist i infrastrukturës bashkë me magazinerin e repartit.

Bimët me kanabis dyshohet se ishin mbjellë prej 3 muajsh në batalionin e mbështetjes së luftimit ndërsa lartësia e tyre kishte arritur në 2.7 metra dhe ishin në fazën përfundimtare të korrjes.

Parcela u zbulua nga monitorimi i avionit të Guardia di finacës italiane. Lënda narkotike ishte mbjellë në një zonë të pyllëzuar e ndara në 6 parcela të vogla./abcnews.al