Luiza Gega u prit me nderime në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, pas kthimit nga Mynihu.
Kampionia e Europës në atletikë u përshëndet nga ministret Kushi e Muzhaqi dhe dhe kreu i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli.
Luiza Gega u shpreh që dje në lidhje skajp për Abc-në se pritjet protokollare pasi u shpall kampione e Europës do të ishin lodhje dhe prishje e regjimit sportiv, e megjithatë duheshin kryer.
Për nder të atletes kuqezi dolën në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit përfaqësues të qeverisë dhe sportit, si ministret Evis Kushi e Bora Muzhaqi, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli apo presidenti i atletikës Gjerg Ruli.
Ministrja e Arsimit, Rinisë e Sportit, pasi e përshëndeti Gegën, foli për problemin kryesor në vendin tonë.
Vetë kampionia e Europës foli thjesht. Disa fjalë përshëndetëse edhe nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. Gega do të pritet nesër në kryeministri nga kreu i qeverisë, Edi Rama, ndërsa do të përgatitet për garat e ardhshme në Ligën e Diamantit.