Kampionati, largimi nga Kukësi, Skënderbeu dhe një peng: Rrëfehet Frashëri

schedule19:02 - 21 Prill, 2020

schedule 19:02 - 21 Prill, 2020

Stivi Frashëri mbylli aventurën 2-vjeçare me Kukësin verën e kaluar dhe zgjodhi të vijonte karrierën në Durrës. Portieri korçar numëron 26 ndeshje të zhvilluara në Superiore me Teutën këtë sezon dhe prek tema të ndryshme në prononcimin e dhënë për “Fan Zonë” në Supersport.

KARANTINA – “Kam ndenjur rreth 2 javë në karantinë, duke u përpjekur të stërvitem në kushte shtëpiake. Por nuk ishte e lehtë, pasi një portieri i duhet hapësira. Më pas folëm me klubin dhe morëm leje që të stërviteshim në fushë, në mënyrë të ndarë”.

KAMPIONATI – “Rifillimi do jetë shumë i vështirë për të gjithë. Askush nuk do e ketë të lehtë, pas gjithë kësaj pauze nuk mund të jenë lojtarët në formë të mirë. Nuk jam shumë i kënaqur me veten time, pasi jam me idenë se gjatë gjithë kohës mund të përmirësohem. Do doja që të ishte akoma më i mirë si sezon”.

OBJEKTIVI – “Shpresoj që në të ardhmen të jem në një nivel më të lartë. Me potencialin që kemi në ekip, mendoj se duhet të bënim më mirë, por futbolli është edhe fat. Besoj që në rast rikthimi të futbollit, shpresoj që të japim maksimumin dhe të marrim maksimumin”.

KUKËSI – “Ishte një fanellë që më dhuroi trofe. Marrëdhënia me ta ishte shumë e mirë, në fund kam pasur edhe pendesë dhe nuk doja të largohesha. Aty u bënë ndryshime dhe u vendos që unë të largohesha”.

SKËNDERBEU – “Çdokush do donte të luante për ekipin e qytetit të tij. Megjithatë, kohë kemi dhe mund të ndodhë. Dy ekipet që më kanë lënë një shije shumë të mirë, janë Kukësi dhe Teuta, jam ndjerë shumë mirë në këto ekipe”.

PENGU – ”Përderisa unë kam kohë, ende e kam moshën të bëj hapin e madh dhe të kaloj në një skuadër jashtë. Nëse nuk menaxhohesh mirë nga të tjerët, atëherë e ke të vështirë të bësh hapin e madh”. /abcnews.al