Kampionati Europian U21/ Italia dhe Gjermania në “shok”, eliminohen që në fazën e grupeve

schedule11:23 - 29 Qershor, 2023

schedule 11:23 - 29 Qershor, 2023

Të papriturat duhej të ndodhnin që në fillim.

Dy gjigantë të futbollit të kontinentit u eliminuan nga Kampionati Europian U21, madje kjo ndodhi në grup.

Gjermania dhe Italia u detyruan t’i thonë “lamtumirë” para kohe turneut që po zhvillohet në Gjeorgji e Rumani, në një tronditje të vërtetë.

Skuadra gjermane, që vinte në Europian si kampione në fuqi, u mund 2-0 nga Anglia dhe pësoi një zhgënjim të jashtëzakonshëm. Kameron Arçer dhe Harvej Eliot shënuan që në fillim për “tre luanët”, në një ndeshje të fortë, por që u vendos në minutat e para. Gjermania largohet pasi kishte arritur tri herë radhazi finalet në kampionatet europiane, duke fituar dy tituj, por këtë herë doli e fundit në grup me vetëm 1 pikë. Kualifikimin e arritën Anglia dhe Izraeli.

I rëndë edhe dështimi i Italisë.

Të Kaltrit u mundën minimalisht 1-0 nga Norvegjia në ndeshjen e grupit D, të luajtur në Rumani.

Italianët bënë më shumë presion dhe e mbajtën më shumë topin, por ishin të paaftë të çanin mbrojtjen e fortë kundërshtare, duke e goditur vetëm një herë portën. Të dyja skuadrat u eliminuan, pasi as Norvegjia nuk kishte shpresa për të kaluar grupin.Italia është skuadra më e suksesshme e kampionateve europiane të 21-vjeçarëve, duke fituar 5 tituj kampion, po aq sa Spanja.

Gjithsesi, titulli I fundit është fituar në 2004, dhe që nga ajo kohë finalja është arritur vetëm një herë./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!