Kampet elektorale përpiqen të mobilizojnë votuesit e pavendosur në shtetin Xhorxhia

schedule17:58 - 26 Shtator, 2024

schedule 17:58 - 26 Shtator, 2024

Xhorxhia është një ndër shtatë shtetet e pavendosura që mendohet se do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve amerikane të këtij viti dhe të dyja kampet elektorale po punojnë për të mobilizuar votuesit në këtë shtet. Votimi i hershëm për zgjedhjet presidenciale fillon në Xhorxhia në 15 tetor. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Kane Farabaugh, anketimet tregojnë një përballje me rezultat të ngushtë mes Nënpresidentes Kamala Harris dhe ish-Presidentit Donald Trump.

Guvernatori i Xhorxhias Brian Kemp dhe kandidati për nënpresident JD Vance u shfaqën së bashku rishtazi në një aktivitet publik, duke demonstruar kështu unitetin e Partisë Republikane, pas disa vitesh mosmarrëveshjesh mes zotit Kemp dhe ish-Presidentit Donald Trump.

“Dëshirojmë një fillim të ri”, thotë Dorothy Harpe, votuese në Xhorxhia.

Ajo nuk është e shqetësuar për mosmarrëveshjen e ish-Presidentit Trump me guvernatorin Kemp në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020, për të cilat zoti Trump pretendon se i fitoi. Ajo është më e shqetësuar për ekonominë.

“Kishim çmime më të ulëta për ushqime, karburant, energji. Gjithçka ishte më mirë nën administratën Trump”, thotë zonja Harpe.

Ky është një mesazh që zonja Harpe e shpërndan në mbarë komunitetin e saj, duke i inkurajuar njerëzit të votojnë.

“Janë edhe shumë të rinj që thonë se do të votojnë për Trump-in”, thotë ajo.

Në zgjedhjet e vitit 2020, Joe Biden fitoi në Xhorxhia me një diferencë prej vetëm rreth 11 mijë votash më shumë, nga një total prej 5 milionë votash. I ndërgjegjshëm për këtë, guvernatori republikan i bëri thirrje audiencës, përshirë zonjës Harpe, që të votojnë.

“Nuk mund të marrim asgjë për të mirëqenë. Nuk mund ta ulim ritmin tani”, tha guvernatori Kemp.

“Xhorxhia është sërish e rëndësishme”, thotë kryebashkiaku i Atlantas, Andre Dickens.

Kryebashkiaku Dickens, i Partisë Demokrate, thotë se anketimet flasin për një tjetër garë të ngushtë mes ish-Presidentit Trump dhe Nënpresidentes Kamala Harris.

“Njerëzit nganjëherë dekurajohen nga mendimi se vota e tyre nuk vlen, por duhet të dalim në terren dhe të sigurohemi që secili e di se vota e tij ka rëndësi”, thotë zoti Dickens.

“Çdo votë ka rëndësi”, thotë Elijah Grace, aktivist me organizatën “New Georgia Action Fund”.

Aktivistët shkojnë derë më derë për të nxitur regjistrimin e votuesve.

“Punojmë në veçanti me votuesit me ngjyrë në mbarë shtetin, për t’u siguruar që kanë burimet që iu nevojiten për të hedhur votën e tyre”, thotë zoti Grace.

Një studim i Qendrës Kërkimore Pew në vitin 2020 tregoi se afrikano-amerikanët me të drejtë vote në Xhorxhia përbënin një të tretën e elektoratit total të këtij shteti. Anketimet në vitin 2020 treguan se 88% e votuesve afrikano-amerikanë zgjodhën Presidentin Biden. Por, anketimet e fundit tregojnë se demokratët po humbasin terren në këtë garë të ngushtë.

“Të dyja palët e kuptojnë se fitorja kalon nga Xhorxhia”, thotë zoti Grace.

Kur gara bëhej mes kandidatëve Biden dhe Trump, zoti Grace vuri re një mungesë entuziazmi mes votuesve të mundshëm.

“Që kur ndryshuan kandidatët demokratë, kemi parë një rritje të fortë në mbështetjen për Nënpresidenten Kamala Harris”, thotë ai.

“Ajo bashkon çështjet racore dhe gjinore”, thotë Bernice King, nga “Qendra King”.

Bernice King, vajza e udhëheqësit për të drejtat civile Martin Luther King Jr., beson se zonja Harris arrin të tërheqë votuesit që më parë mendonin të mos angazhoheshin.

“Sinqerisht, duke folur thjesht si grua, mendoj se ky është një sezon kur shohim më shumë gra që shfaqen në role kyçe udhëheqëse”, thotë zonja King.

Janë cilësitë udhëheqëse që e motivojnë zonjën Harpe të mbështesë ish-Presidentin Trump dhe ajo po punon që t’i bashkohen edhe të tjerë, ndërsa republikanët fokusohen tek inflacioni dhe shqetësimet për koston e jetesës.

“Jam zotuar të sjell në qendrat e votimit shumë të njohur të mi. U them, nëse nuk keni një mënyrë për të shkuar atje, do t’ju çoj unë”, thotë zonja Harpe.

Qendrat e votimit hapen në Xhorxhia për votim të hershëm më 15 tetor./voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!