Kamenos dorëzon planin për aleancë ushtarake me Shqipërinë

schedule23:44 - 10 Tetor, 2018

schedule 23:44 - 10 Tetor, 2018

Ministri i Mbrojtjes i Greqisë ka dorëzuar në Uashington një plan për një aleancë ushtarake në Ballkan me Shqipërinë, Maqedoninë, Bullgarinë dhe Serbinë. Kjo është bërë e ditur nga mediat greke, që theksojnë se plani i Kamenos është shtyrë nga dështimi i referendumit në Maqedoni.

Greqia, Shqipëria, Maqedonia, Bullgaria dhe Serbia; të gjithë sëbashku në një marrëveshje ushtarake, e cila do të stabilizojë situatën në Ballkan. Ky është plani i ri i ministrit grek të mbrojtjes Panos Kamenos, i shtyrë nga dështimi i referendumit për emrin në SHkup, të cilin po e promovon në arenën ndërkombëtare. Zyrtari i qeverisë së Athinës ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku është takuar edhe me sekretarin amerikan të mbrojtjes, James Mattis. Sipas mediave greke, Kamenos i ka dorëzuar atij planin në fjalë, duke thënë se kjo do të pengojë avancimin e Rusisë në rajonin e Ballkanit.

Sipas ministrit të Mbrojtjes, fillimisht në këtë aleancë do të jenë: Greqia, Maqedonia, Shqipëria dhe Bullgaria. Ndërsa më pas edhe Serbia do të bëhej pjesë e kësaj marrëveshjeje ushtarake, por në një fazë më të vonë. Kamenos e prezanton këtë plan, si alternativën më të mirë për Maqedoninë, duke parë që ky shtet nuk mund të anëtarësohet në NATO pa ndryshuar emrin.

Mediat greke nënvizoi se plani në fjalë i është dorëzuar edhe Ndihmës-sekretarit të Shtetit, Wess Mitchell. Pavarësisht nismës personale të Kamenos, kjo aleancë ushtarake në Ballkan po has në kundërshtime.  Zëvendësministri i Jashtëm grek, Katrougalos njoftoi se plani i Kamenos nuk mund të konsiderohet si alternativë për Marrëveshjen e Prespës. Ai ka theksuar se kjo marrëveshje vijon të ketë mbështetjen e qeverive në Athinë dhe Shkup./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!