“Kam lindur që të fitoj gjithmonë”, Elvana Gjata flet pas spekulimeve për Festivalin e Këngës

schedule10:18 - 2 Gusht, 2021

schedule 10:18 - 2 Gusht, 2021

Elvana Gjata ka folur pas shumë kohësh për polemikat e shkaktuara pasi nuk u shpall fituese e edicionit të 58-të të Festivalit të Këngës. Humbja e Elvana Gjatës dhe fitorja e Arilena Arës u shoqërua me një sërë akuzash ndaj Alketa Vejsiut dhe Vera Grabockës se kanë ndërhyrë në rezultat.

Së fundmi, Elvana ishte e ftuar në emisionin NIN, ku dhe u pyet nga moderatori Alaudin Hamiti nëse ka patur ndonjë “dorë” që ka ndërhyrë në rezultat. “Nuk di të them. Nëse di ndonjë gjë ti ma thuaj“, ishte përgjigjja e Elvanës.

“Dua t’ju them nga zemra fansave të mi, unë e kthej kokën pas me buzëqeshje. Nuk kam asnjë keqardhje sepse çdo gjë ndodh për një arsye dhe koha tregon se çfarë ka qenë për të ndodhur. Kjo është ajo për të cilën jetoj, që të jem favoritja e publikut gjithmonë. 

Që njerëzit me festival, pa festival ta duan këngën e saj pavarësisht gjithçkaje. E them nga zemra që kjo është ajo që unë bëj jo vetëm në festivalet e mia por në çdo gjë që bëj kur ka muzikë. Dua që publiku ta përqafojë këngën dhe ta mbajë përjetë me vete.

Ajo është fitorja ime më e madhe. Është çmimi më i madh që mund të marr.”, tha ajo.  Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, këngëtarja tha se nuk iu ka vënë vizë të kuqe festivaleve sepse pavarësisht gjithçkaje, fiton. Çfarë e bën atë të pandalshme? “Nuk e di. Thjesht e di që kam lindur që të fitoj gjithmonë.“, tha Elvana. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!