Frederic Veseli do të vazhdojë karrierën tek ekipi i tij i Empolit. Mbrojtësi i Shqipërisë nuk vazhdoi me ekipin e Le Mans, pasi kontrata e tij skadoi. Ai u huazua nga Empoli në janar dhe luajti 5 ndeshje me francezët deri në momentin që u ndërpre kampionati për shkak të pandemisë.
Mediet italiane aluduan se Le Mans nuk pagoi për të mbajtur mbrojtësin shqiptar, por e vërteta është krejtësisht tjetër. Ekipi francez nuk kishte asnjë të drejtë për të mbajtur apo paguar kartonin e Veselit. Telesport foli direkt me 27-vjeçarin dhe arriti të sqarojë rikthimin tek Empoli.
“Le Mans nuk kishte opsion për të vazhduar kontratën me mua. Nuk ishin ata që vendosën për të mos zgjatur bashkëpunimin, por Empoli nuk kishte parashikuar një klauzolë të tillë në kontratë. Mund të them se kalova mirë në Francë dhe pse për shkak të COVID-19 koha ishte e shkurtër.
“Unë u riktheva tek Empoli sepse kam dhe një vit kontratë. Në asnjë moment klubi im nuk deklaroi se do të më largojë. Unë kam kontratë dhe natyrisht që Empoli do ta respektojë”, – tha Veseli për kolegët e Telesport./abcnews.al