Artikulli në vijim është shkruar nga Scott Kelly, një astronaut i NASA-s në pension, i cili ka shërbyer një vit në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Të qenit i mbërthyer në shtëpi mund të jetë diçka sfiduese. Kur jetoja në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor nuk ishte e lehtë. Kur shkoja të flija, isha në punë. Kur zgjohesha, isha në punë sërish. Të fluturosh në hapësirë është ndoshta e vetmja punë që absolutisht nuk mund ta lësh pas dore.
Por unë mësova disa gjëra gjatë asaj kohe dhe dua t’i ndaj me ju sepse mund t’ju vijnë në ndihmë tani që të gjithë qëndrojmë në shtëpi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ndiqni një orar të caktuar
Në Stacionin Hapësinor, koha ime ishte e planifikuar, që nga momenti kur zgjohesha dhe derisa shkoja të flija. Ndonjëherë kjo përfshinte punë tetë-orarëshe e deri në pesë-minutëshe. Duhet të keni një plan që mund t’ju ndihmojë ju dhe familjen tuaj të përshtateni në një mjedis të ri pune dhe jetese.
Por qetësoni veten
Kur punoni dhe jetoni në një të njëjtn vend, puna duhet të ketë hapësirën e saj. Duke jetuar në hapësirë, unë qëllimisht qetësoja veten sepse e dija që do të isha për një kohë të gjatë atje – ashtu si ne të gjithë sot. Merrni kohë për aktivitete argëtuese. Unë bisedoja me miqtë dhe shihja “Game of Thrones”. E pashë dy herë. Dhe mos harroni të flini mjaftueshëm gjumë. Shkencëtarët e NASA-s i kushtojnë shumë rëndësi gjumit sepse gjumi lidhet me gjendjen shpirtërore dhe fizike.
Duhet të keni një hobi
Kur kufizoheni brenda një vendi, keni nevojë për një hobi. Njerëzit habiten kur u thua se marrim me vete libra në hapësirë. Ose mund të nisni të praktikoni një instrument (sapo bleva një kitare), ose të provoni diçka të re.
Mbani ditar
NASA ka studiuar efektet e izolimit te njerëzit për dekada dhe një zbulim befasues është se mbajtja e një ditari ka vlerë. Gjatë misionit tim 1-vjeçar, mora një ditar që të shkruaja përvojën time çdo ditë. Nëse e gjeni veten duke shpalosur si kronikë ngjarjet e ditës, mos u shqetësoni. Mund të nisni ta shpalosni përjetimin përmes të gjitha shqisave. Sigurisht që mund të mos keni ndërmend ta botoni si libër, por do t’ju ndihmojë të shpreheni dhe të mbani veten të zënë me punë.
Flisni me të tjerët
Edhe me gjithë përgjegjësitë që ka të qenurit komandant i Stacionit Hapësinor, kurrë nuk ka patur një ditë që të mos telefonoja familjen dhe miqtë. Shkencëtarët kanë zbuluar se izolimi dëmton shëndetin mendor, por edhe atë fizik dhe veçanërisht sistemin imunitar. Teknologjia e bën më të lehtë të mbash kontakte me njerëzit, kështu që duhet të merrni kohë që të flisni me dikë.
Dëgjoni ekspertët
Kam mësuar që nëse raketa ka probleme, duhet të pyes një specialisht raketash. Rrjetet sociale nuk kanë gjithmonë burime të konfirmuara, ndaj informacionet e rreme nuk i bëjnë mirë askujt.
Të gjithë jemi bashkë
Përhapja e koronavirusit po na tregon se ajo që na bashkon është më e madhe se ajo që na ndan. Të gjithë jemi të ndërlidhur në mënyrë të pashmangshme. Një nga “efektet anësore” të të parit Tokën nga hapësira është ndjenja e dhembshurisë te unë. Kam parë që njerëzit janë bashkuar më shumë se kurrë në këto ditë. Unë e di që do t’ja dalim.
Kur e sheh nga hapësira, Toka nuk ka kufij. /abcnews.al