Një zonë naftëmbajtëse, por që është kthyer në fatkeqësi për banorët e fshatit Kallm në Fier. Gropat pranë puseve të naftës nga Albpetrol, në të cilat depozitoheshin mbetjet e hidrokarbureve, janë ende të hapura.
Era e rëndë ndihet që në hyrje të fshatit.
16 familje jetojnë pranë tyre. Shumë banorët janë të sëmurë dhe trajtohen për shkak të nivelit të lartë të karbonit në gjak.
“Jam me karbon në gjak.”
“Të mbyt gazi të helmon era. Të sëmurë jemi astmatikë.”
“Kam qenë dy muaj në spital me karbon në gjak jemi, ne këtu jemi të mbaruar. Se çan kokën njeri, bashkia e merr taksat, kur vjen puna që vijnë depuetët dhe Kryetari i Bashkisë thonë do e heqim dhe s’kanë bërë gjë.”
Gropat nuk janë të izoluara dhe kanë frikë për jetën e fëmijëve.
“Të shkojë një fëmijë bie dhe nuk del dot.”
Prej frikës nga sëmundjet shumë banorë kanë braktisur fshatin. Edhe ata që kanë mbetur thonë se nëse këto gropa s’do mbyllen do të largohen.
“Ndotja është skandaloze këtu është të vrasësh veten jo të rrish më.”
Këto gropa, të rrezikshme me mbetje hidrokarburesh 30 vjeçare dikur administroheshin nga kompania Albpetrol. Ato krijoheshin për grumbullimin e mbetjeve pranë puseve të naftës e më pas shkonin në dekantim ku përpunoheshin. Albpetrol i mbylli puset e naftës në këtë zonë, ndërsa gropat me mbetje jo. Aktualisht zona naftëmbajtëse administrohet prej kompanisë “Bankers”.
“I kemi bërë kërkesa Albpetrolit thotë se e ka kompania tjetër kanadeze Banker. Po nuk e kanë çarë kokën.”
Burime nga njësia administrative Mbrostar sqaruan për ABC se pushtetarët vendorë I kanë kërkuar ndihmë “Bankers” që të reabilitojë zonën dhe të mbyllë gropat. Por kjo ende nuk ka ndodhur./abcnews.al./