Denoncoi se u kërcënua dhe siguroi mbrojtje nga KLGJ/ Prokuroria regjistron procedim penal ndaj gjyqtares Arnisa Këlliçi

schedule13:31 - 7 Shkurt, 2024

schedule 13:31 - 7 Shkurt, 2024

TIRANË – Gjyqtarja e gjykates se shkalles se pare ne Tirane Arnisa Këlliçi është marrë e pandehur për kallëzim të rremë, pas pretendimeve të saj se ishte kërcënuar me jetë.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Tiranës thotë se gjyqtarja do të hetohet për veprën penale kallëzim i rremë dhe falsifikim dokumentesh.

Disa javë më parë, Arnisa Këlliçi u paraqit në komisariatin numër 3 në kryeqytet, për të denoncuar një letër kërcënuese që i kishte mbërritur në zyrën e saj nëpërmjet postës.Por sipas organit të akuzës, letra rezulton se është shkruar nga vetë gjyqtarja Këlliçi.

Për këtë pretendim të saj, gjyqtarja kërkoi dhe mori mbrojtje të posaçme nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Madje gjyqtarja shkoi edhe më larg me kërcënimin e supozuar, duke kallëzuar në prokurori edhe personin për të cilin kishte dyshime që fshihej pas letrës.

Arnisa Këlliçi u mor në mbrojtje për një afat 3-mujor nga Këshilli i Lartë Gjyqësor mbi bazën e kallëzimit të depozituar.

Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka vënë në dijeni sipas ligjit, Këshillin e Lartë Gjyqësor pas hetimeve paraprake ku rezulton se Arnisa Këlliçi ka shkruar vetë letër kërcënuese me qëllim marrjen e përfitimeve të cilat nuk i takojnë.

Njëkohësisht, Prokurorisë e Tiranës, ka shpallur moskompetencë dhe kalim të akteve në Prokurorinë e Durrësit, për ndjekje të mëtejshme.

Njoftimi i plote:
Denoncoi se u kanos dhe siguroi mbrojtje nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Prokuroria Tiranë merr të pandehur gjyqtaren Arnisa Këlliçi për ‘Kallëzim të rremë’ dhe ‘Falsifikim të dokumenteve’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka regjistruar Procedimin Penal, nr.552 të vitit 2024, për veprën penale të “Kanosje e Gjyqtarit” parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal, me kallëzuese Gjyqtaren A. K.

Në datën 20.01.2024 në orën 23:10 min, në Komisaritin e Policisë nr 3, Tiranë është paraqitur dhe ka bërë kallëzim penal gjyqtarja Arnisa Këlliçi e cila ushtron funksionin e saj pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, dhoma penale.

Gjyqtarja ka pretenduar se në zyrën e saj, e cila ndodhet në katin e tretë, zyra nr 321, ka konstatuar se i ka ardhur një letër me anë të postës, me tekst, “E dashur gjyqtare A….., keni dy fëmijë, D…… dhe R…….. Mendoni për ta se mund të rroni ju e jo ata dhe kjo është e rëndë. Me respekt!”.

Ndër të tjera, kallëzuesja ka shpjeguar se në datën 20.01.2024 rreth orës 11:00, ka shkuar në zyrë pasi kishte një seancë gjyqësore, me objekt, shuarje mase sigurimi. Në momentin që ka hyrë në zyrën e saj, në tavolinën e saj të punës mbi dosje, ka gjetur një zarf dhe brenda tij ishte letra e cituar më sipër, të cilën pasi e ka lexuar, e ka futur në kasafortë. Për këtë letër nuk ka asnjë të dhënë tjetër apo dyshime, por është ndjerë e trembur, sepse janë perdorur emrat e fëmijëve të saj.

Në funksion të hetimeve paraprake për sa është kallzuar, nga ana e organit të prokurorisë janë kryer hetime intensive me qëllim sigurimin e provave të ngutshme sikurse administrimi i pamjeve filmike pranë gjykatës, marrja në pyetje e personave, marrja e modeleve të lira dhe eksperimetale, kqyrje dhe sekuestrime pranë institucioneve si dhe kryerja e ekspertimeve dhe në përfundim është arritur në konkluzionin, referuar rrethanave dhe aktit të ekspertimit grafik, se letra objekt hetimi, është shkruar nga vetë kallëzuesja Arnisa Këlliçi

Në këto kushte, nga ana e organit të prokurorisë është çmuar, se ka prova që krijojnë dyshim e arsyeshëm  për t’i atribuuar kësaj shtetaseje veprën penale të “Kallëzimit të rreme” parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal, duke proceduar me marrjen si të pandehur për këtë vepër penale.

Gjithashtu, po në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal, është administruar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, kërkesa për mbrojtje e datës 20.01.2024, dërguar nga gjyqtarja, duke vënë në lëvizje këtë institucion, i cili në datën 22.01.2024, ka vendosur, ruajtjen fizike të magjistrates A. K. dhe familjes së saj, për një periudhe 3-mujore.

Në këto kushte, rezulton se kjo gjyqtare, ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor të dhëna me përmbajtje të rreme, me qëllim marrjen e përfitimeve të cilat, nuk i takojnë.

Sa më sipër, nga ana e organit të prokurorisë është vendosur marrja si e pandehur e shtetases Arnisa Këlliçi, edhe për kryerjen e veprës penale “Falsifikimit të dokumeteve” të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

Për faktet e mësipërme, është vënë në dijeni edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor sipas ligjit.

Njëkohësisht, referuar parashikimeve të neneve 78 dhe 84 të Kodit Procedurës Penale, nga ana e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është vendosur shpallja e moskompetencës dhe kalimi i akteve pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Jurdiksionit të Përgjithshëm Durrës, për ndjekje të mëtejshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!