Kalldrëmet karakteristike në kalanë e Gjirokastrës drejt rrënimit

schedule18:49 - 13 Tetor, 2021

schedule 18:49 - 13 Tetor, 2021

Për pak vite kalldrëmet karakteristike në zonën më të frekuentuar nga turistët siç është kalaja në Gjirokastër janë shkatërruar. Edhe një pjesë e gurëve e murit rrethues kanë rënë. Kështjella Argjiro është një nga më të mëdhatë në Ballkan. Po situata e infrastrukturës rreth saj lë shumë për të dëshiruar ku muret anësore janë të shkatërruara.

Banorët autoktonë fajësojnë institucioneve që lejojnë në këtë zonë të kalojnë mjetet të tonazhit të rëndë.

“Vendi ka bërë ulje atje nga betonierët ka ardhur kjo. Ka mbi 4 a 5 vjet që është shkatërruar. Është turp për ne që jemi Gjirokastritë. Më parë kjo pjesë ka qenë perlë,” thotë një banor.

Edhe erozioni gjithnjë e më shumë po dëmton zonën.

Nuk kanë munguar dhe incidentet. Një e moshuar që tregton punime artizanale pranë kalasë tregon se para disa kohësh i erdhi në ndihmë një turisti të huaj.

“Rrëshqiti ai kapaku dhe ai ra këtu në shesh. Unë mezi e ngrita, i hodha një çikë ujë në dorë që qe vrarë.”

Pezana Rexha, drejtoreshe e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër për ABC sqaroi se në bashkëpunim me bashkinë do të ngrihet një taks-forcë për të gjithë zonën e kalasë.

Kalaja Argjiro, e ndërtuar rreth shekullit të 12 është destinacioni kryesor në Gjirokastër i cili vizitohet nga turistet vendas apo edhe të huaj. Emri Argjiro është i lidhur me legjendën e një princeshe që u hodh nga kështjella me fëmijën e vogël në krah për t’u shpëtuar otomanëve. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!