Kallaku dhe Shehu, të lumtur për fitoren, të rëndësishme 3pikët

schedule16:48 - 23 Tetor, 2021

schedule 16:48 - 23 Tetor, 2021

Sherif Kallaku ishte autori i golit të fitores për skuadrën e Teutës kundër Egnatias , duke i dhuruar skuadrës 3 pikë të rëndësishme, për ta rikthyer tek fitorja pas humbjes me Tiranën javën e kaluar.

Autori i golit shprehet se ishte një fitore e vuajtur për durrsakët por në fund janë të lumtur që dolën me 3 pikë nga kjo ndeshje.

“E dinim që do të ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe u munduam të mbajmë larg rrezikun. Ishte një fitore shumë e vuajtur dhe jemi edhe më të kënaqur që morëm tre pikët në këtë transfertë. Te Teuta nuk erdha për mungesë hapësirash, por për të luajtur në Europë, ku nuk patëm fat, pasi u eliminuam nga Shamrock. Nuk kam qenë shumë mirë, pasi edhe këtë javë jam stërvitur shumë pak për shkak të temperaturës, por po punoj shumë që të rigjej formën më të mirë. Dëshira ime është ta lë Teutën në vendet e para dhe më pas të shohim në janar. Unë nuk mendoj për janarin, por të përmirësohem gjithmonë, për të ngritur rendimentin dhe për të dhënë më të mirën për Teutën”, shprehet Kallaku për “Supersport”.

Julian Shehu ishte futbollisti i Laçit që u prononcua për “Gol pas Goli”, pas fitores së parë të ekipit të tij. Laçi arriti të fitojë kundër Kastriotit me gol të shënuar nga Mentor Mazrekaj.

Sipas Shehu-t skuadra kurbinase nuk ka arriti dot të përshtatet me fizionominë e lojës të trajnerit malazez Dejan Vukiçeviç. Megjithatë ai shprehet se tek skuadra e Laçit nuk ka eufori.

“Vinim nga një moment shumë i vështirë dhe donim të reagonim e të kthenim situatën në favorin tonë. E dinim që Kastrioti ka armën më të fortë agresivitetin dhe u munduam t’i përgjigjemi në të njëjtën mënyrë. Për fat të mirë ia dolëm të marrim tre pikët, falë forcës dhe karakterit që treguam. Nuk di të them se çfarë ndodhi pas paraqitjes në Europe, por edhe fatin nuk e patëm me vete. Ne jemi profesionistë dhe japim maksimumin me çdo trajner që kemi në krye, por përshtatja nuk është gjithmonë e njëjtë. Thjesht ka qenë çështje përshtatjeje me trajnerin që kaluam. Te laçi nuk ka vend asnjëherë për eufori”,  deklaroi Julian Shehu. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!