“Kalimi te Sassuolo zgjedhje sportive”, agjenti i Kumbullës: Marashi kërkon formën e mirë para Euro 2024

schedule11:56 - 23 Shkurt, 2024

schedule 11:56 - 23 Shkurt, 2024

Pavarësisht se është rikthyer nga dëmtimi në gju, prej një muaji, “shtatlarti” i mbrojtjes, Marash Kumbulla ende nuk ka zbritur në fushën e blertë, teksa fillimisht qëndroi në stol për sfidën Lazio-Roma e pas transferimit te “Zijeshilët” e Sassuolo sërish nuk ia ka dalë që mbushë mendjen e teknikut Dionisi, i cili ende nuk i ka siguruar minuta 24-vjeçarit shqiptar.

Së fundmi, për gjendje fizike të lojtarit, si dhe objektivat e tij ka folur edhe vetë agjenti i Kumbullës, Gianni Vitali, me këtë të fundit, i cili gjatë një interviste për mediat italiane ka treguar detaje në lidhje me formën aktuale dhe siç theksuam më lart, objektivin e tij kryesor, i cili është rikthimi në Kombëtaren e Shqipërisë, në kohë për Kampionatin Evropian, Euro 2024.

“Marash ka rikuperuar formën e tij dhe mezi pret të futet në fushë për të dhënë kontributin e tij dhe për të ndihmuar Sassuolon. Ai zgjodhi këtë destinacion sepse ishte i bindur për të kaluar te kjo skuadër. E përsëris, ai mezi pret të ndihmojë. Marashi e vendos gjithmonë skuadrën para vetes. Objektivi i parë është të ndihmojë Sassuolo-n të shpëtojë, ndërsa personalisht ai dëshiron të kthehet në fushë dhe të gjejë formën më të mirë edhe sepse në verë është Kampionati Evropian, një ngjarje e cila është veçanërisht e rëndësishme”,- u shpreh Vitali.

Më tej gjatë intervistës, agjenti italian foli edhe për të ardhemen e “shtatlartit” nga Malësia e Madhe, i cili u shpreh se kalimi te Sassuolo ishte një zgjedhje sportive, për të rigjetur formën e duhur, teksa risolli në kujtesë, se te Roma, Kumbulla ka një kontratë shumë të gjatë dhe ashtu siç është planifikuar pritet të rikthehet në fundin e këtij sezoni.

“Zgjedhja për të ardhur në Sassuolo ishte një zgjedhje sportive, në këtë moment duhet të mendojë për Sassuolo-n, objektivat e kësaj skuadre dhe për të bërë mirë me të. Më pas, ai është në pronësi të Roma-s, kjo nuk është sekret, ai ka një kontratë ende të gjatë. Ai ka lënë një derë të hapur që do të rihapet, por tani ai nuk po mendon se çfarë do të ndodhë me ‘Verdhekuqtë’ gjatë rrugës. Ai është i fokusuar vetëm te Sassuolo”,- tregoi Vitali, mbi të ardhmen e 24-vjeçarit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!