Leipzig-Dortmund është sfida më e fortë e javës së 15-të në Bundesligë. Ekipi i Julian Nagelsmann pret verdhezinjtë ditën e nesërme (18:30), në një duel që pritet të jetë spektakolar dhe me gola.
Emri i trajnerit të Leipzig lidhet prej kohësh me një kalim te Dortmund, por 33-vjeçari i ka dhënë fund një teme të tillë në konferencën e zakonshme për shtypin, duke qetësuar tifozët.
“Nuk ka asnjë motiv që te Leipzig të jenë nervozë në lidhje me këtë temë, nuk duhet të shqetësohen fare. Pozicioni im ndaj Dortmund është i njëjti me kohën kur drejtoja Hoffenheim.
Michael Zorc (drejtori sportiv i Dortmund) ka thënë të vërtetën. Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lloj takimi me ta. Unë ndihem për mrekulli te Leipzig. Jam i lumtur dhe kam objektiva për të arritur këtu.
Bëhet fjalë për objektiva të mëdha. E përsëris edhe njëherë, Te Leipzig duhet të qëndrojnë të qetë, Dortmund nuk është fare pjesë e mendimeve të mia“, deklaron një nga trajnerët më premtues dhe të talentuar. /abcnews.al