Mesfushori i Arsenal, Martin Odegaard, e pranon se tashmë ka filluar të përshtatet me futbollin anglez. Në një prononcim për “Arsenal.com”, lojtari në pronësi të Real Madrid falenderon shokët e ekipit për pritje që i kanë bërë si dhe deklaron se ndihet shumë krenar që është pjesë e “Topçinjve” të Londrës.
“Është pak më ndryshe se në Spanjë, por mendoj se jam duke u përshtatur mjaft mirë. Mënyra se si shokët e ekipit më pritën dhe si u sollën me mua që në momentin që mbërrita këtu ka qenë fantastike. Ata më kanë ndihmuar që nga minuta e parë dhe sigurisht që ka qenë më e lehtë për mua”, deklaron norvegjezi.
“Ndihem shumë rehat këtu dhe pjesë e ekipit. Jam shumë i lumtur që luaj për Arsenalin dhe që jam pjesë e kësaj skuadre”, përfundon Odegaard. Ndeshja e djeshme kundër Leeds ishte e para që mesfushori e filloi si titullar në Premier League dhe performanca e tij ishte në një nivel shumë të lartë, duke e shpërblyer besimin që trajneri Arteta i dha lojtarit. /abcnews.al