Kalaja e Lezhës në rrezik shembje, përgjegjësi Ded Margjoni: Duhet ndërhyrje emergjente

schedule12:23 - 31 Maj, 2020

schedule 12:23 - 31 Maj, 2020

Vizitorët dhe turistët që do të frekuentojnë kalanë e qytetit të Lezhës këtë sezon veror duhet të përballen me një problematikë që nis me urën hyrëse, e cila është kalbur dhe është në rrezik për fëmijët e të moshuarit dhe çmimin e biletës së trefishuar.

Një tjetër problematikë me të cilën përballesh në pamje të parë janë muret e kalasë që janë çarë si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

Ndërsa hyn në këtë kala duhet të bësh shumë kujdes. Disa mure janë në rrezik shembjeje nga goditjet që kanë marrë nga tërmeti i nëntorit. Banorët e lagjes poshtë kalasë ndjehen të pasiguritë.

“Ka një çarje të thellë vertikale, e cila përbën rrezik serioz për shembjen e të gjithë kullës. Ka edhe dëme të tjera të cilat nuk janë vënë re, si rënie muresh që kanë rënë plotësisht”, tregon përgjegjësi për kalanë e Lezhës, Ded Margjoni.

Specialisti i Kulturës Kombëtare për Lezhën, Ded Margjoni, në një intervistë për “ABC News” tregon se është miratuar projekti për rikonstruksionin e saj, por për shkak të pandemisë fondet janë bllokuar.

“Është bërë një projekt, por për shkak të pandemisë fondet janë bllokuar deri në  një urdhër të dytë nga Ministria e financave dhe Ministria e Kulturës”, tha specialisti Dedë Margjoni.

Por më emergjente mbetet ndërhyrja në këtë urë.

“Tashmë ajo e ka kryer funksionin e saj. Ajo është ndërtuar që në vitin 2012. Në dijeninë time është miratuar si projekt dhe pritet alkimi i fondeve”, tregon më tej ai.

Kalaja e Lezhës, mbetet një aset historik, mbijetesa e së cilës kërkon ndërhyrje të herëpashershme nga autoritetet e Ministrisë se Kulturës./abcnews.al