Kafja e fundit, shoku rrëfen ku e çoi biznesmenin që u zhduk: Kërkesa dhe telefoni

schedule16:39 - 5 Nëntor, 2021

schedule 16:39 - 5 Nëntor, 2021

“ABC” ka zbardhur detaje të reja lidhur me zhdukjen prej dy javësh të biznesmenit Ruzhdi Hoxha, që ka në pronësi një fabrike inertesh në Kamzë. 43 vjeçari është baba i dy fëmijëve. Mbrëmjen e 24 tetorit, djali i tij ka denoncuar në komisariatin numër 5 largimin e të atit nga banesa.

Lexo edhe: Zhdukja e biznesmenit nga Kamza, policia: Po hetojmë për rrëmbim dhe pengmarrje

U ka thënë policëve se prej 3 ditësh nuk kishte mundur të komunikonte me të. Pas denoncimit, një grup oficerësh kanë zbuluar personat e fundit që kanë takuar dhe kanë parë 43 vjeçarin Hoxha. Njëri prej tyre rezultoi të ishte bashkëmoshatari i tij, Ferdinand Rrushi.

Para grupit hetimor ai tha se bashkë me një shok tjetër të tyre ndodheshin në një lokal në Kamzë duke konsumuar kafe. Sipas tij, Ruzhdiu i kishte kërkuar që ta çonte deri në Fushë Mëzezë dhe pasi e ka lënë atje, nuk kishte pasur më asnjë kontakt me të.

Ferdinand Rrushi

Por nga verifikimi që policia bëri ndaj këtij personi rezultoi të ishte në kërkim. Gjykata e Xhenovas në Itali e kishte dënuar për trafik droge. Rrushi u arrestua me qëllim ekstradimi, por njëkohësish është i dyshuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Ruzhdi Hoxhës.

Mjeti që përdori Rrushi është kapur nga kamerat edhe në zonën e Zallherrit. Pak ditë më parë, në komisariatin numër 4 një person ka denoncuar se ka gjetur në rrugë, pranë Shkollës së Bashkuar, një celular. Nga verifikimet dyshohet se ky aparat i përket biznesmenit Ruzhdi Hoxha. Hetuesit dyshojnë se celulari mund të jetë hedhur në këtë zonë, për të shpërqendruar hetimet e policisë. Për gjetjen e biznesmenit, policia ka shoqëruar më shumë se 10 persona, por pas deklarimeve ata janë lënë të lirë.

Familjarët e Ruzhdi Hoxhës kanë pohuar se i afërmi i tyre ishte larguar të paktën edhe dy herë të tjera nga banesa, por ishte kthyer pas dy ditësh. Ngjarja është referuar në prokurori për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.

Si pistë kryesore po hetohet ajo e rrëmbimit dhe zhdukjes për shkak të borxheve që ka pasur Hoxha, ndërsa biznesi i tij ka qenë drejt falimentimit./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!