Nga Ajgena Korbi
Lexues të moshave të ndryshme e prisnin dhe kur mbërriti nuk i kursyen duartrokitjet. Shkrimtari Ismail Kadare ishte në Panairin e Librit në Tiranë vetëm për ta.
“Ka ardhur vetëm për të vënë firmën, thuaj vetëm një fjalë.”
Botuesi Bujar Hudhri e tha para gazetarëve të cilët tentonin ti shkëpusnin një mendim.
“Hajde gjeje vetëm një fjalë, është shumë e vështirë, është e pamundur zoti botues.”
Megjithëkëtë me një fjali shkrimtari përmblodhi dëshira dhe mendime drejtuar lexuesit te tij.
“Ju përqafoj të gjithëve lexuesit janë pjesa më e bukur e letërsisë ne shkruajmë për ju e kemi mendjen tek ju duam të dimë a na pëlqeni a s’na pëlqeni a thoni mjaftu këto që thotë ky i kemi dëgjuar njëherë.”
Më pas në heshtje nisi të vinte firmën në titujt që i vinin përpara njëri pas tjetrit ndërsa një tufë njerëzish prisnin në radhë. Pak minuta pushim dhe një lajm i mirë për lexuesin.
“A jeni duke shkruar diçka? Dicka po.”
Por kureshtja nuk përfundon këtu. Të pranishmit kërkuan të dinë diçka rreth përditshmërisë së shkrimtarit. Kadare iu përgjigj kështu;
“Nuk ka në jetën time time ndonjë gjë te veçante kam vetëm kokën time qe mendoj, asgjë tjetër.”
Krah bashkëshortes Helena që e shoqëron kudo dhe botuesit, Ismail Kadare zgjodhi të vizitoi panairin në ditën e fundit të tij. Panairi i 25 i librit në Tiranë priti lexuesit për 4 ditë./Abcnews.al/