Calisthenics është një formë e stërvitjes së forcës që përbëhet nga një sërë lëvizjesh që ushtrojnë grupe të mëdha muskujsh, si në këmbë, kapje, shtytje, etj. Këto ushtrime shpesh kryhen në mënyrë ritmike dhe me pajisje minimale, si ushtrime me peshë trupore.
Marin Lita është ndër ata që e ushtrojnë prej kohësh këtë lloj sporti. Në një intervistë me Skype nga liqeni artificial për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, Marini tregoi se këtë sport e ushtron që prej vitit 2013. E kanë cilësuar gjithashtu dhe si “Spiderman”.
I pyetur për këtë, ai tha se njerëzit e kanë cilësuar kështu pasi kishte marrë pjesë në një ditëlindje për fëmijë, ku ishte veshur si Spiderman. Nga liqeni artificial nga ku po jepte intervistën, ai demostroi dhe disa ushtrime ekstreme që lanë pa fjalë gazetarët.
“E kam mësuar vetë duke parë në Youtube. Të mëson shumë por ka dhe instruktorë që të mësojnë dhe të praktikosh ushtrimet e fillimit. Një orë mjafton për stërvitje në ditë. Normal e shoqëroj me dietë ushqimore.”, u shpreh ai. /abcnews.al


