“Ka prova të besueshme se…”: Gjermania kërcënon Rusinë, çfarë po ndodh mes dy shteteve

schedule16:36 - 28 Maj, 2020

schedule 16:36 - 28 Maj, 2020

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka kërcënuar me sanksione të BE-së ndaj “atyre që janë përgjegjës” – duke përfshirë një shtetas rus – për një sulm kibernetik më 2015 kundër parlamentit gjerman.

Tensionet diplomatike midis Rusisë dhe Gjermanisë janë rritur.

Më 28 maj, ministria gjermane tha përmes një deklarate se kishte thirrur ambasadorin rus në Berlin për t’ia përcjellë mesazhin.

Sipas autoriteteve gjermane, provat tregojnë se në kohën e sulmit, shtetasi rus, Dmitry Badin, ishte duke punuar për agjencinë e inteligjencës ruse.

Prokurorët gjermanë lëshuan një urdhër arresti për Badin, i cili kërkohet edhe nga autoritetet amerikane, pasi besohet se ishte pjesë e një grupi të hakerëve të njohur si APT28, ose Fancy Bear.

“Ambasadori rus u njoftua se mbi bazën e një urdhër arresti të lëshuar nga zyra e prokurorit federal gjerman më 5 maj kundër shtetasit rus Dmitry Badin, qeveria gjermane do të kërkojë që Brukseli të përdorë regjimin e sanksioneve kibernetike të BE-së kundër përgjegjësve për sulmin ndaj parlamentit gjerman”, tha ministria në deklaratë.

“Ka prova të besueshme që Badin ishte anëtar i shërbimit sekret ushtarak të Rusisë – GRU, në kohën e sulmit”, thuhet në deklaratën e autoriteteve gjermane.

Në fillim të këtij muaji, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se kishte “prova bindëse” për përfshirjen e “forcave ruse” në një sulm kibernetik më 2015 kundër parlamentit gjerman, dhe zyrës së saj.

Më 27 maj, Moska mohoi çdo përfshirje në sulmet kibernetike ndaj parlamentit gjerman, duke thënë se çështja është duke u përdorur nga Berlini për të larguar vëmendjen nga problemet mbi pandeminë koronavirusit./REL