Emisioni Vetting- Bulqiza si ëndërr e keqe
“Të gjithë rrugët të çonin në Bulqizë dikur”, tregon ish minatori Ferhat Kurti, teksa kujton kohën kur nga e gjithë Shqipëria vinin punëtorë për një pagë më të mirë. Ndërsa sot, ai shikon të rinjtë e qytetit që dita-ditës marrin rrugën e emigracionit. Kështu ndodhi dhe me tre djemtë e tij, siç rrëfen ai për “Vetting”, pasi me të ardhurat e pakta të punës në miniera, ai nuk mundi t’u siguronte një të ardhme ndryshe. Puna në miniera atyre iu mohua për shkak të protestave të babait minator, por me shumë gjasa, në galeri, ata do t’i nënshtroheshin të njëjtit fat.
“Si punëtor i vjetër, 30 vjet përvojë, më thuaj t’i çfarë ndihme kam pasë?! Ky është punëtor, ka punuar gjithë vitin, rezultati ka qenë 200 për qind, ose 180 për qind, dhe këtij punëtori i takon të shkojë në plazh përshembull.… A kam shku ndonjë herë? Shpërblim, kam marrë ndonjëherë? Asnjëherë! Shpërblim të paktën…”, tregon Kurti.
Emigrimi në qarkun e Dibrës ku bën pjesë dhe Bulqiza është thelluar ndjeshëm vitet e fundit, si një përpjekje për t’i shpëtuar mjerimit. Vetëm në vitin 2020, ndonëse në situatë pandemike me kufijtë e mbyllur, u larguan sipas INSTAT 2,6 për qind e popullsisë. Siç tregojnë banorët e Bulqizës, në vend po ndihet një valë gjithëpërfshirëse, ku të rinjtë e shikojnë shpëtimin jashtë vendit, e prindërit detyrohen të pajtohen me dhimbjen e të pasurit fëmijët larg, përballë alternativës kobzezë të humbjes së tyre në miniera.
Minatori Lulzim Alla, thotë se qeveritarët me “nëpërkëmbjen” që po u bëjnë të drejtave të minatorëve, po “i dëbojnë” nga vendlindja. Dhjetëra kolegë e të afërm të tij, tanimë kanë emigruar, dhe ai, prej pasigurisë e vështirësive ekonomike ka vendosur të lërë qytetin
“Ma merr mendja që nuk shtyhet më shumë… Besoj se dhe unë do të lëvizë… kanë lëvizë shumë veta…”
Çdo aktivitet në Bulqizë, burimin e të ardhurave e ka në miniera, thotë Alla. Dhe me vështirësitë ekonomike në këtë sektor, papunësia ka dhënë efektet e saj duke nxitur edhe më tepër emigracionin. Kështu, ndonëse popullsia është në rënie, shifrat e papunësisë në tokën e arit rriten çdo ditë. Vetëm për vitin 2020, nga Zyrat e Punës u regjistruan 1150 banorë të Bulqizës si të papunë. Me problemin e nivelit të ulët të arsimimit ku më pak se 10 për qind gëzojnë arsim të lartë, u punësuan vetëm 32 për qind të tyre. Ndërsa 114 punëkëruesve iu ofrua pagesë papunësie, 668 të tjerë nuk gjetën zgjidhje në këtë strukturë.
Në këto rrethana të rinjtë që ende s’kanë mundur të lënë qytetin, u drejtohen minierave.
Ndërsa vënë çdo ditë jetën në rrezik u duhet të përballen dhe me vonesat e pagave. Gjatë gushtit në dyert e “Albchrome” gjejmë disa punonjës të minierave të tjera të Bulqizës që përpiqen të transferohen.
“Sektori privat i ka mbytë te pjesa e pagës, se nuk i ka pagu pagën… Kanë gjashtë muaj e mbi një vit që s’kanë marrë pagat… vijnë këtu tek ne, se këtu realisht pagat janë dhënë”, rrëfen Alla.
Mes pasigurisë për një vend pune rrëfejnë jashtë kameras se po mbushin vitin pa u paguar dhe gjenden në një labirint pa krye për të siguruar nevojat bazike. Qeveria, si mburojë ndaj këtyre padrejtësive, mund të kishte pranuar kërkesat e vazhdueshme për t’u njohur statusin e minatorit. Por, pavarësisht premtimeve, minatorët janë braktisur në fatin e diktuar nga pronarët e administratorët e minierave. /Abcnews.al