Ka apo s’ka sivjet zgjedhje në veri të Kosovës?

schedule19:38 - 25 Gusht, 2023

schedule 19:38 - 25 Gusht, 2023

Drafti i udhëzimit administrativ, që u mundëson qytetarëve të komunave të Kosovës shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes peticionit, do të dalë në diskutim publik më 26 gusht, thonë zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Një dokument i tillë vjen në kohën kur Bashkimi Evropian është duke i kërkuar me ngulm Kosovës që të shpallë zgjedhje të reja në katër komunat me shumicë serbe në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Këto komuna aktualisht udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë.

Ata kanë dalë nga zgjedhjet e prillit, të cilat janë bojkotuar nga popullata shumicë serbe.

Por, marrja e detyrës nga ta ka tensionuar situatën në veri qysh në fund të majit, kur banorët lokalë kanë nisur të protestojnë kundër tyre. Zgjedhjet e reja tani shihen si mënyrë për shtensioimin e situatës.

Për më tepër, ato janë edhe obligim që dalin nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për këtë qëllim.

Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal besojnë se në aspektin procedural, zgjedhjet e parakohshme në këto komuna mund të mbahen gjatë këtij viti, por ndryshe mendojnë njohësit e proceseve zgjedhore.

Murtezani: Udhëzimi administrativ i gatshëm më 1 shtator

Besim Murtezani, zëvendësudhëheqës i Departamentit ligjor dhe monitorimit të komunave në kuadër të MAPL-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se diskutimi publik për udhëzimin administrativ do të zgjasë deri më 31 gusht.

“Të enjten [31 gusht] e kemi takimin e fundit të grupit punues dhe ai do t’i përfshijë sugjerimet dhe vërejtjet prej diskutimit publik dhe [pastaj] do të bëhet drafti përfundimtar, në mënyrë që të premten, më 1 shtator, t’i dërgohet ministrit për nënshkrim”, thotë Murtezani.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar qysh më herët se udhëzimi administrativ do të jetë gati më 1 shtator.

Rregullat procedurale thonë se pas nënshkrimit nga ministri, do të duhen shtatë ditë që udhëzimi administrativ, pas daljes në Gazetën Zyrtare, të hyjë në fuqi.

Pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi administrativ, qytetarët e katër komunave në veri të Kosovës mund ta iniciojnë menjëherë peticionin për largimin e kryetarëve aktualë të atyre komunave.

Sipas Murtezanit, kohëzgjatja e mbledhjes së nënshkrimeve në peticion është 45 ditë që nga inicimi i peticionit, por procesi mund të kryhet edhe më shpejt, nëse arrihet mbledhja e 20 për qind të nënshkrimeve të votuesve nga iniciuesit e peticionit.

Më pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sqaron Murtezani, verifikon nënshkrimet e votuesve dhe organizon votimin në komunën ose komunat që kanë iniciuar peticion.

Për shkarkimin e kryetarit të një komune nevojiten 50 për qind plus 1 votë nga numri i përgjithshëm i votuesve të komunës përkatëse.

Në rast se rezultati i votimit kërkon shkarkimin e kryetarëve, atëherë ai i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Cakolli: S’ka gjasa për zgjedhje sivjet

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se të gjitha këto procedura marrin kohë dhe vështirë se mund të përfundojnë deri në fund të muajit nëntor.

“Peticioni, pastaj të gjitha afatet tjera që duhet të rrjedhin, si dhe mbajtja e procesit të votimit nga ana e KQZ-së, pra, vetëm për largimin e kryetarëve… këto procedura na sjellin neve deri te muaji nëntor së paku, nëse jo edhe më gjatë se kaq”.

“Shpallja e zgjedhjeve të reja sërish merr 30 deri në 45 ditë. Përveç kësaj, ka afat të ankesave… Gjasat janë reale që ne, potencialisht, të mos kemi fare proces zgjedhor këtë vit, por vetëm kah fillimi i vitit të ardhshëm. Por, edhe kjo, vetëm nëse ndërkohë nuk ka zhvillime të reja”, thekson Cakolli.
Murtezani, në anën tjetër, shprehet i bindur se, në rast se fillohet menjëherë me zbatimin e procedurave, zgjedhjet mund të mbahen këtë vit. Por, sipas tij, kjo nuk varet vetëm nga aspekti procedural.

“Kjo më shumë ka të bëjë me vullnetin e qytetarëve. Ka komunë që mund ta nisë iniciativën [për peticionin] më herët ose më vonë”, thotë ai.

Mbajtja e zgjedhjeve “varet nga gatishmëria për mbledhjen e nënshkrimeve”

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës nuk do të varet me automatizëm vetëm nga zbatimi i përpiktë i afateve të procedurave.

“Unë jam skeptik që sivjet do të mund të shkohet në zgjedhje. Ka edhe një moment politik, përveç aspektit procedural, për të cilin po flasim. Pra, kujt i konvenon status quo-ja dhe drejtimi i gishtit [të fajësimit] kah Prishtina. Nëse i konvenon [presidentit serb, Aleksandar] Vuçiq dhe Listës Serbe [partisë më të madhe të serbëve në Kosovë], do të marrë kohë edhe më shumë, sepse ata që e kanë bojkotuar sistemin, do të jenë të njëjtit që do t’i grumbullojnë nënshkrimet për peticion. Ne nuk e dimë se a janë ata të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë”, thotë Ferati.
Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse, si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.

Ndonëse dorëheqja eventuale e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës do t’i përshpejtonte procedurat e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme, autoritetet e Kosovës kanë theksuar se nuk do t’ua kërkojnë këtë gjë kryetarëve aktualë.

Sipas tyre, zgjedhjet në këto komuna mund të mbahen vetëm pas shkarkimit të kryetarëve aktualë përmes peticionit të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të secilës prej këtyre komunave./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!