Juventus e ka seriozisht për Edon Zhegrovën, bardhezinjtë bëjnë gati ofertën

schedule17:19 - 3 Maj, 2024

schedule 17:19 - 3 Maj, 2024

“Sapo prek topin të jep ndjesinë se diçka e rëndësishme, por njëkohësisht e rrezikshme mund të ndodhë nga çasti në çast”. Janë këto fjalët e Lydovik Obranian për Edon Zhegrovën, pas ndeshjes mes Lille dhe Metzit, të datës 28 prill.

Lille triumfoi 2-1, ndërsa anësori ofensiv kosovar u zgjodh edhe lojtari i ndeshjes, pas 87 minutave lojë, por elozhet për të ishin me tonelata në emisionet sportive transalpine.

“Realisht, unë mendoj se ky djalë ka gjithçka për t’u bërë një ‘top-player’ brenda një kohe shumë të shkurtër”, vazhdoi vlerësimin e tij ish-futbollisti polak, me Obranian që kujtojmë se në të kaluarën e tij ka luajtur si për Lille, ashtu sikurse për Metzin në kampionatin francez.

Por nëse kjo ishte garnitura, qershinë mbi tortë për Edon Zhegrovën e dha edhe një bomber madhështor si Xhibril Cise: “Unë nuk mendoj se sot në Ligue 1 ka një futbollist që i jep sigurinë e duhur skuadrës së tij si Edon Zhegrova. Është vërtet fantastik”.

Me 11 gola dhe 9 asiste në 44 ndeshje me Lille, ylli i Kombëtares së Kosovës ka fituar kopertinat e javës në Francë, por më shumë se kaq, çdo ditë që kalon tërheq rreth vetes edhe interesin e klubeve të mëdha të Europës.

Ndoshta, jo më kot Juventusi dhe Cristiano Giuntoli kanë nisur që t’i vihen pas 25-vjeçarit, madje, me median franceze në kor, e cila është e bindur se “Zonja e Vjetër” jo vetëm është në avantazh, por edhe tepër e bindur për të mbyllur marrëveshjen me Lille.

Këta të fundit e paguan vetëm 7 milionë euro Zhegrovën, pasi e morën në janar 2022 nga Basel, por Juventusi ka arritur që të ofrojë fillimisht 14 milionë euro për kartonin e tij, ndonëse lajmet e fundit thonë se në Torino janë gati që të shtyhen deri në 20 milionë euro.

Këto shifra vërtet të rëndësishme tregojnë jo vetëm sezonin fantastik që Edon Zhegrova po bën në Ligue 1, por mbi të gjitha seriozitetin me të cilin Juventusi po ndjek lojtarin në fjalë, për të cilin do të kenë shumë shpejt një takim./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!