Lidhja e një kontrate qeraje është një marrëveshje mes dy palëve, të cilët bien dakord vetëm mes njëri-tjetrin për periudhën e përdorimit të pronës, apo edhe për çmimin dhe datat e pagesës. Por a mund të hyjë shteti në këtë marrëdhënie?
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani nuk sheh asnjë të drejtë ligjore.
“Ku ka vullnet mes palëve nuk hyn dot shteti. Unë u bëj thirrje njerëzve që të gjejnë gjuhën e mirëkuptimit. Vullneti korrektohet me vullnet, jo me kërbaç”, shprehet ai.
Julian Kola, i cili drejton Institutin për Edukim Ligjor dhe Mbrojtje Qytetare nuk e sheh ndërhyrjen e qeverisë si kushtetuese.
“Kjo vendimmarrje bie ndesh me dispozitat e Kodit Civil dhe ato kushtetuese. Dhe nisur nga ky pozicion i qiramarrësit në pamundësi për të paguar detyrimet, normalisht është qeveria ajo që duhet të kompensojë dhe jo qiradhënësi”, thotë Kola.
Avokatët Jordan Daci dhe Adriatik Lapaj ndajnë mendime të kundërta nëse qeveria ka ose jo të drejtë të hyjë mes dy palëve private, por bien dakord se shtyrja e qirave nuk zgjidh problemin.
“Padyshim që qeveria ka të drejtë të ndërhyjë edhe në marrëdheniet e privatit kur vjen puna për rastet e gjendjes së ngjashme me këtë. Ajo që unë do prisja të ishte ndryshe ishte në radhë të parë një analizë shumë më e thellë e masës që zgjidhet të merret dhe e ndikimit që kjo masë do të japë në disa elementë. Pezullimi i qirasë nuk e zgjidh çështjen, por e shtyn në kohë dhe madje, mund të ketë edhe efekt të kundërt se të nesërmen qiramarrësi, nuk do ketë vetëm një qira pa paguar, por tre”, deklaron Daci.
“Të vjen në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, krijon një mbivendosje në një marrëdhenie që rregullohet nga Kodi Civil. Në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë që ne jemi do të duhet të procedjë sipas ligjit për mbrojtjen civile, i cili nen 41 përcakton gjithashtu detyrimin e qeverisë për të kompensuar dëmet e pasojave të dëmeve”, shprehet Lapaj.
Sipas Manjanit, këto veprime nuk mund të justifikohen nga gjendja e jashtëzakonshme.
“Virusi apo kjo gjendje është justifikim, se asgjë në veprimtarinë e qeverisë shqiptare nuk ka lidhje me Kushtetutën e vendit. Kjo është një gjendje e papranueshme sepse vërtet jemi në një gjendje emergjence, por shoqëria demokratike duhet të vazhdojë të ekzistojë”, thekson Manjani.
Qeveria në aktin e saj normativ, saktëson se qiratë nuk do të falen, por do të paguhen me këste, pasi pandemia e COVID 19 të kalojë./abcnews.al