Julian Morina gati për aksionet e Tiranës

schedule18:20 - 10 Janar, 2019

schedule 18:20 - 10 Janar, 2019

Biznesmeni Julian Morina është gati të blejë aksionet e klubit të Tiranës, që zotërohen nga Bashkia e kryeqytetit. Ish-donatori i bardhebluve flet për planet e tij, në intervistën dhënë për ABC News.

Dëshiron të kthehet sërish. Aksionet e Tiranës, të paktën ato të bashkisë, janë në shitje dhe kandidat i vendosur për t’i marrë është biznesmeni Julian Morina, i cili pohon për ABC News se çfarë plani ka për të marrë 34 përqindëshin.

“Si ish-donator i Futboll Klub Tiranës kam vendosur që të bëj një kërkesë Bashkisë Tiranë, për aksionet që ka Bashkia për FK Tiranë. Duke kuptuar që nuk është në një situatë të mirë, ku edhe gjatë kohës kur unë nuk kam qenë ka provuar edhe rënien nga kategoria, duke qenë si ish-donator kam të drejtën për ta bërë këtë kërkesë. Tirana vetëm me një suport të një personi besoj që është pak e vështirë për të mbijetuar apo për ta lartësuar atje ku e meriton”, tha Morina.

Morina ka qenë donator i Tiranës në vitet 2013-2014, por më pas u largua. Cila ishte arsyeja?

“Me drejtuesit e asaj, kohe, të Bashkisë së Tiranës dhe mes donatorit tjetër, Refik Halilit, ka qenë një dakordësi për të patur 20%. Rrodhën disa ngjarje ku unë nuk i mora ato 20%, por besoj që nuk ëhstë vendi apo momenti për t’iu kthyer prapa në kohë kësaj situate. Do të shikojmë përpara”, tha ai.

Është folur shumë se tek Tirana do të ketë jo vetëm ndryshime të aksioneve, por edhe privatizim të stadiumit “Selman Stërmasi’, diçka që mund t’u interesojë aksionerëve.

“Unë nuk hyj në një ekip apo në një financim, apo në një mbështetje që të përfitoj nga kjo. Tjetër gjë nëse aktorët dhe faktorët shkojnë drejt një investimi të tillë sepse shumë njerëz e kanë privatizuar. Edhe këto privatizimet prapë kanë dështuar. Unë nuk jam nga njerëzit që hyn për të përfituar, por jam nga njerëzit që hyn për të përfituar”, u shpreh Morina.

Gjithsesi, Tirana nuk ka qenë e vetmja mundësi për biznesmenin.

“Në fakt kam pasur dia raste që janë diskutuar kur ndër to ka qenë dhe Shkodra, Elbasani. Duke qenë edhe me impenjime të tjera preferoj të qëndroj te Tirana edhe për shkak të qytetit që unë jetoj, por edhe distanca dhe dashuria ndaj këtij klubi”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!