Themeluesi i Wikileaks Julian Assange nuk mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara. Kështu ka vendosur gjykata në Londër.
Gjyqtarja Vanessa Baraitser rrëzoi kërkesën për shkak të shqetësimeve në lidhje me shëndetin mendor të Assange dhe rrezikun e vetëvrasjes në SHBA. Ajo shtoi se Assange kishte shfaqur shenja se mund të vetëvritej, dhe se nuk kishte siguri që në burgjet amerikane diçka e tillë do të parandalohej.
“Përshtypja e përgjithshme është e një njeriu të dëshpëruar që ka frikë për të ardhmen e tij.”, tha ajo.
48-vjeçari fitoi betejën ligjore kundër autoriteteve amerikane të cilët e akuzuan për spiunazh duke publikuar informacione konfidenciale.
Nëse dënohet në SHBA, aktivisti do të burgosej në burgun famëkeq në Colorado, i cili është përshkruar nga një ish-roje si një “version i ferrit” dhe ” më i keq se vdekja”.
Gjykatësja Vanessa Baraitser tha sot se ekzistonte mundësia që Assange të kryente vetëvrasje dhe se autoritetet amerikane do të ishin në gjendje të parandalonin një akt të tillë.
Assange ndodhet në paraburgim në HMP Belmarsh përpara se një gjyq të fillojë më vonë për lirimin me kusht. Zyrtarët amerikanë kanë 14 ditë për të apeluar vendimin.
Assange, i lindur në Australi, sipas Aktit të Spiunazhit të SHBA të vitit 1917 është akuzuar për komplot me Chelsea Manning, një ish-analist i inteligjencës së Ushtrisë, për të sulmuar një rrjet kompjuterik të Pentagonit dhe për të publikuar dokumente sekrete në lidhje me ‘mbrojtjen kombëtare’.
Themeluesi i WikiLeaks u përball me 18 akuza dhe gjithashtu u akuzua për vënien në rrezik të zyrtarëve të SHBA.-së duke botuar të dhënat.
Assange ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme me autoritetet amerikane që nga korriku 2010 kur WikiLeaks filloi botimin e qindra mijëra dokumenteve të klasifikuara ushtarake dhe politike amerikane nga luftërat Afganistan dhe Irak.
Ndërsa zyrtarët amerikanë filluan një proces gjyqësor, në qershor 2012, Assange hyri në ambasadën e Ekuadorit, duke kërkuar azil politik, i cili u dha dy muaj më vonë.
Assange qëndroi i fshehur deri në prill 2019 kur Ekuadori revokoi statusin e tij të azilit, duke çuar në arrestimin e tij dhe fillimin e një beteje ligjore që arriti kulmin në gjyqin e sotëm.
Për 19 muajt e fundit, Assange ka qenë i burgosur në burgun e lartë të sigurisë në Belmarsh. Ai u shfaq për herë të parë në Old Bailey shkurtin e kaluar, por çështja u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Nëse Assange do të gjykohej në SHBA, ai do të përballej me një 175 vjet burg për të gjitha akuzat./abcnews.al