Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka publikuar një deklaratë të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç ku kishte deklaruar se “Ju bombardoni, vrisni një serb e ne do të vrasim 100 myslimanë”
“Sot, më 20 korrik 2020, bëhen 25 vjet nga deklarata famëkeqe e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, atëbotë deputet i partisë së Sheshelit: “Ju bombardoni, vrisni një serb e ne do të vrasim 100 myslimanë. E ta shohim pastaj se a guxon bashkësia ndërkombëtare apo kushdo tjetër të godasë mbi pozicionet serbe, a mund të sillen ashtu me popullin serb”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka publikuar edhe një video tjetër, ku shihet njësiti serb ‘Shkorpionët’, pjesëtarët e të cilit pushkatojnë në Srebrenicë boshnjakë civilë, të mitur e me duar të lidhura pas shpinës.
“Gati katër vjet më vonë, më 28 mars 1999, i njëjti njësit serb ‘Shkorpionët’ do të pushkatojë familjet Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë”, ka shkruar Kurti.