Laçi mori një fitore të merituar përballë Kukësit të Diego Longos. 3 gola të shënuar nga kurbinasit për të marrë 3 pikë me vlera në shtëpinë e vet, ndërsa tani mund të “ëndërrojnë” edhe titullin.
Pas ndeshjes Mirel Josa ishte shumë i lumtur për fitoren e skuadrës së tij, ndërsa nuk mendon për titullin dhe është i fokusuar te ndeshjet që luhen ën fushën e lojës.
“Nuk jam i interesuar se çfarë bën Tirana. Ndeshja e sotme na jep prioritet për të rritur diferencën me Kukësin, tani jemi 6 pikë larg tyre. Për këtë i jap rëndësi fitores, edhe për mënyrën se si djemtë u sollën në fushë.
Jemi mësuar të shohim Kukësin të krijojë përpara. Pas shënimit të dy golave të parë, ne donim se s’bën ta godisnim Kukësin, madje duhet ta godisnim shumë më shpejt.
Dueli me Tiranën? Objektivat e skuadrës janë për të fituar çdo ndeshje, të mos bimë psikologjikisht pavarësisht rezultatit. Do të vazhdojmë përpara, kemi pasur probleme. Qato, Zarubica dhe Guindo patën probleme dëmtimesh.
Tirana? Ajo ka një skuadër që di të ringrihet shumë shpejt. Nuk mendoj sot për ta, ata janë një skuadër e madhe. Duhet të pushojmë sot, pasi ishte një ndeshje e rëndësishme, më e rëndësishme se ajo me Tiranën.
Brenda skuadrës nuk diskutohet problemi titull, më tepër diskutohet që skuadra të jetë sa më e mbledhur, të mendojë për objektivat parësorë. Lojtarët e mi po tregohen të pjekur në fushë, të vazhdojnë të jenë të pjekur edhe në vazhdimësi.
Duhet të jemi me këmbë në tokë, të luajmë futbollin që kërkoj unë dhe atë që luajnë futbollistët. Kam djem që dinë ta luajnë topin, dinë të luajnë futboll. Kemi ekuilibër, kompaktësi, dimë të luajmë topin poshtë, dhe ta luajmë edhe shpejt.
Ato që kam fituar si futbollist dhe si trajner, unë i kam harruar. Nuk mbetem tek ajo që kam fituar. Më intereson që lojtarët si Lushkja, të cilit i ectë mbarë, por edhe lojtarët e tjerë të bëjnë mirë për vetën e tyre dhe për skuadrën. Ujka po tregon gatishmëri. Nuk dua të merrem me të kaluarën, pasi në Shqipëri e kaluara harrohet shumë shpejt”, deklaroi trajneri i Laçit. /f.a/abcnews.al