Josa: Më vjen keq për rastin e Veliajt, Partizani menaxhoi situatat siç duhej

schedule20:43 - 4 Prill, 2022

schedule 20:43 - 4 Prill, 2022

Laçi po kalon një moment të keq në kampionat, teksa ditën e sotme u mposht nga Partizani me shifrat 2-1, me kurbinasit që prej disa javësh kanë harruar edhe shijen e fitores në superligë.

Pas kësaj disfate kurbinasit kërcënohen edhe nga Kukësi, me verilindorët që ndodhen vetëm 2 pikë më pak në vendin e 3-të.

Pas takimit me demat, trajneri Mirel Josa do të ishte shumë i zhgënjyer, ndërsa nuk nguroi të shprehej se kundërshtari e meritoi fitoren, por nga ana tjetër i vjen keq që skuadra e tij nuk arriti të mposhte një skuadër që kishte luajtur në kupë vetëm 24 orë pas tyre.

“Problemi nuk është te rivalët por te vetja jonë se vinim pas një ndeshje të Kupës ku kishim përmirësime, por sot bëmë një hap mbrapa. I kishim linjat larg dhe Partizani i shfrytëzoi, u vonuam të shkonim përpara. Pjesa e parë ishte shumë negative dhe mund të them se humbëm ekuilibrat. Në të dytën u goditëm në momentin më të mirë për një pakujdesi. Partizani menaxhoi situatat siç duhej”.

Mungesë fati, edhe goli i anuluar në pozicion jashtë loje? “Derisa ishte goli në pozicion jashtë loje nuk dua ta diskutoj. Veliaj pati një rast në pjesë të parë dhe për atë më vjen keq, por ne nuk meritonim pikë në ndeshjen e sotme.

Duhej të ishim më të përqendruar te goli i parë i Partizanit dhe në shumicën e rasteve ato harkime përfundojnë në gol nëse shërbimi është i mirë, ndaj duhej të ishim më të kujdesshëm, edhe te penalltia njësoj.

U mundëm nga një skuadër që ka luajtur 24 orë pas nesh dhe për këtë më vjen edhe më shumë keq. Gabimet i kemi analizuar, por duhet të bëjmë më pak. Në këtë periudhë nuk ka më ndeshje brenda apo jashtë, ndaj problemi është si interpretohet loja. Mbrojtësit anësorë lanë shumë hapësira dhe distanca ishte e madhe nga mesfusha dhe qendërmbrojtësave ”, u shpreh Josa. /f.a/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!