Ndër ndeshjet e çerek-finaleve të planifikuara për “Katar 2022”, padyshim ajo që spikat më shumë është “finalja” e parakohshme, Angli-Francë.
Në një konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes, portieri i “tre luanëve”, Jordan Pickford u shpreh tepër konfident, duke marrë parasysh lojtarët e kualitetit të lartë, që ka kombëtarja e “gjelave”.
“Do të përballemi me kampionët në fuqi, kështu që të flasim për një ndeshje të vështirë është më e pakta që mund të bëjmë. Ata kanë lojtarë të kalibrit të Mbappes, që janë ndër më të mirët në botë, por kur je në një Botëror duhet të mendosh për të shijuar momente të tilla, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të shfrytëzosh shanset që të dalin në rrugën tënde. Mund të mos kesh një shans tjetër për të mundur Francën dhe për ta bërë në çerekfinalet e një Kupe Botërore do të ishte diçka e madhe. Në çdo rast, mendoj se edhe ata duhet të shqetësohen për ne”,- është shprehur gardiani i portës së “ishullorve”. /i.m /abcnews.al