Johnson: Irani përgjegjës për sulmet në Riad

schedule11:41 - 23 Shtator, 2019

schedule 11:41 - 23 Shtator, 2019

Kryeministri britanik Boris Johnson akuzoi Iranin si përgjegjës të sulmeve ndaj rafinerive të naftës në Riad. Ai shtoi se vendi i tij është i gatshëm të mbështesë sauditët dhe amerikanët duke dërguar trupa ushtarakë shtesë në rajon.

Britania e Madhe e konsideron Iranin përgjegjës për sulmin në rafineritë saudite të naftës. Kryeministri britanik Boris Johnson u shpreh për gazetarët se mendonte që Irani ishte përgjegjës për sulmin e 14 Shtatorit duke shtuar se britanikët mund të kontribuojnë ushtarakisht në përpjekjet ushtarake në gji ku do të dërgohen përforcime.

Ai theksoi se nëse do kërkohej një gjë e tillë Londra do të vlerësonte se në çfarë mënyre mund të ishte e dobishme. Qeveria britanike deri tani kishte qëndruar neutral duke mos akuzuar askënd për sulmet në Riad.

Tashmë Londra, e vetmja kancelari europiane, është rreshtuar në krah të sauditëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke akuzuar Teheranin për sulmet. Johnson pohoi se vendi i tij do të bashkëpunonte me miqtë amerikanë dhe ata europianë për një reagim që do të reduktonte tensionet në rajon duke shtuar se do të takohej me presidentin Iranian Hasan Rouhani në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Kryeministri britanik pritet të takohet dhe me presidentin amerikan Donald Trump, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Për Johnson, Britania e Madhe duhet të jetë një urë mes miqve amerikanë dhe atyre europianë kur flitet për krizën në rajon./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!