Johnson: Britania planifikon investimin më të madh ushtarak që nga Lufta e ftohtë

schedule13:37 - 19 Nëntor, 2020

schedule 13:37 - 19 Nëntor, 2020

Britania ka paralajmëruar të enjten investimin më të madh ushtarak që nga fundi i Luftës së ftohtë, pavarësisht krizës së koronavirusit që ka goditur ekonominë.

Kryeministri Boris Johnson dëshiron të ketë rol udhëheqës në epokën e re të bashkëpunimit global dhe tregtisë së lirë, të cilën ai synon ta forcojë me kapacitete moderne ushtarake dhe kibernetike.

Johnson tha se investimet pasqyrojnë nevojën për të përmirësuar aftësinë ushtarake, e cila përfshin teknologji të reja së bashku me planet për një komandë të re hapësinore dhe agjenci të inteligjencës artificiale.

Në fjalimin në parlament të enjten, në të cilin do të japë një përmbledhje të shkurtër nga analiza më e madhe e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes në tri dekada, Johnson do të akordojë 16.5 miliardë paund shtesë për ushtrinë gjatë katër viteve të ardhshme.

“E mora këtë vendim në mes të pandemisë, sepse mbrojtja e vendit duhet të jetë e para”, tha Johnson.

“Situata ndërkombëtare është më e rrezikshme dhe më konkurruese se në çdo kohë që nga Lufta e Ftohtë,” tha Johnson, duke shtuar se Britania duhet të qëndrojë pranë aleatëve të saj. “Për ta arritur këtë, ne duhet të forcojmë kapacitetet tona të plota.”

Në një kohë të shtimit të pasigurisë globale dhe rritjes së vazhdueshme të Kinës, dhe pas katër viteve të diplomacisë ndërkombëtare të presidentit amerikan Donald Trump, vendimi i Britanisë i vitit 2016 për të lënë Bashkimin Europian e vuri në pikëpyetje rolin e saj dhe ndikimin global.

Vendimi për investime të reja erdhi një javë pasi Johnson i tha presidentit të zgjedhur Joe Biden se Britania është e vendosur të mbetet aleati më i fortë ushtarak.

Përfundimet e plota të analizës së mbrojtjes dhe sigurisë do të publikohen vitin e ardhshëm./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!