Jo vetëm Daku e Demiral, UEFA nis procedimin disiplinor për “yjet” spanjollë

schedule20:16 - 23 Korrik, 2024

schedule 20:16 - 23 Korrik, 2024

Duket se Mirlind Daku e Merih Demiral nuk do të jenë të vetmit të pezulluar.

UEFA njoftoi këtë të martë fillimin e “një procedimi disiplinor” kundër lojtarëve të skuadrës spanjolle, Alvaro Morata dhe Rodrigo “Rodri” Hernandez, për akuza të ndryshme në lidhje me thirrjet “Gjibraltar, spanjoll” gjatë festimit zyrtar të titullit të Euro 2024, më 15 korrik, në Madrid.

Të dy lojtarët, kapiteni i ekipit, në rastin e Morata dhe lojtari më i mirë i turneut Rodrigo kanë mbi supe katër “akuza”, për këtë arsye, siç specifikohet nga UEFA, shkelje e “parimeve të përgjithshme të sjelljes”, “shkelje e standardeve bazë të sjelljes së denjë”, “përdorimi i ngjarjeve sportive për ngjarje josportive” dhe “diskreditim i sportit të futbollit dhe UEFA-s në veçanti.”

“Bordi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-s (CEDB) do të vendosë për këtë çështje në kohën e duhur”,- njoftoi UEFA në një deklaratë.

Ndërkaq, kujtojmë që për të njëjtat akuza, në kuadër të Euro 2024, Merih Demiral i Turqisë, për festimin e një goli me një gjest të një grupi ultranacionalist turk ‘Ujqërit gri’ në ndeshjen kundër Austrisë, si dhe Mirlind Daku i Shqipërisë, për thirrjet kundër Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut pas ndeshjes së barazuar 2-2 kundër Kroacisë, u pezulluan me dy ndeshje të kompeticionit të UEFA-s me ekipet e tyre kombëtare. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!