Një ditë pasi vendosi përjashtimin përgjithmonë nga partia të Sali Berishës dhe 8 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit, strukturë e ngritur nga Kuvendi i thirrur më 11 dhjetor nga ish-kryeministri, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka shkuar edhe më tej duke paralajmëruar në një intervistë për gazetarin Juxhin Mustafaraj në ABC edhe 19 të pezulluarit.
19 anëtarëve të Komisionit të Rithemelimit të pezulluar nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti, Basha u kanë dhënë një shans të fundit. Gjatë intervistës Basha u shpreh se në rast se ata do të distancohen nga dhuna e protestës së 8 janarit në selinë blu, do ketë një vlerësim tjetër për ta nga institucionet e partisë. Në të kundërt kreu i PD tha se mosdistancimi flet qartë për fajin e tyre, duke nënkuptuar përjashtimin e përhershëm.
Juxhin Mustrafaraj-Abc: Zoti Basha keni lënë një dritë le të themi portokalli për 19 funksionarët të Partisë Demokratike. Pse një pjesë e atij që quhet Komisioni i Rithemelimit janë parë me sy të mirë nga ju apo iu është dhënë drita jeshile ndërkohë për 9 funksionarë të tjerë përfshirë edhe Sali Berishën u mor vendimi që të përjashtohen përjetësisht nga Partia Demokratike?
Lulzim Basha: Nuk ka dritë jeshile për asnjërin. Të gjithë janë përjashtuar nga Partia Demokratike. Të pezulluarit kanë një mundësi të distancohen nga dhuna dhe distancimi i tyre nga dhuna do të vlerësohet nga institucionet e partisë. Mosdistancimi i tyre deri në këtë moment flet qartë për fajin e tyre.
Përveç Berishës, përjashtimi i menjëhershëm nga PD, prek dhe 8 emra të tjerë, mes të cilëve edhe ish presidentin Bujar Nishani apo dhe tre deputetët Flamur Noka, Edmond Spaho dhe Albana Vokshi. Ndërsa për 19 të tjerë, është vendosur pezullimi i menjëhershëm nga anëtarësia si dhe nga funksionet e tjera në parti. Vendimi u mor nga kryesia e kësaj partie më 11 janar, si përgjigje ndaj ngjarjeve të 8 janarit, kur selia e PD-së u sulmua nga mbështetësit e Berishës duke shkatërruar dhunshëm një pjesë të mirë të mjediseve të saj.
Funksionarët e pezulluar;
1. Agron Shehaj
2. Aldo Bumci
3. Belind Këlliçi
4. Blendi Himçi
5. Clirim Gjata
6. Edi Paloka
7. Edith Harxhi
8. Eno Bozdo
9. Ervin Minarolli
10. Genc Deromemaj
11. Genc Pollo
12. Gent Strazimiri
13. Ivi Kaso
14. Ledina Mandija
15. Lorenc Luka
16. Luan Baçi
17. Mimoza Hajdrmamataj
18. Oerd Bylykbashi
19. Tritan Shehu
Në intervistën për ABC, Basha shprehet se Sali Berisha drejtoi më datë 8 janar një organizatë kriminale, e cila do të vriste funksionarët e Partisë Demokratike. Basha theksoi se funksionarët e PD ishin në krye të detyrës paraditen e 8 janarit dhe se ishin Berisha dhe mbështetësit e tij që rrezikuan seriozisht jetën e tyre. Kryedemokrati përgjigjet edhe për akuzat se është në komunikim dhe koordinim me Edi Ramën.
/abcnews.al