BE ka kundërshtuar idenë e presidentit Trump për rikthimin e formatit G8, që parashikon përfshirjen e Rusisë, e dëbuar nga grupimi për shkak të pushtimit të Krimesë 5 vjet më parë. Për Perëndimin, Moska nuk është gati të rikthehet në grupim për sa kohë nuk respekton parimet e demokracisë.
Bashkimi Europian është shprehur kundër një riaktivizimi të mundshëm të formatit G8, duke kundërshtuar kështu iniciativën e presidentit Donald Trump për të rikthyer Rusinë në grupimin e më të fuqishmëve të botës.
“Motivet që çuan në përjashtimin e Moskës janë ende të vlefshëm, ndaj një gjë e tillë do të ishte joproduktive”, thuhet në një komunikatë për shtyp.
Në dokumentin në fjalë nënvizohet se formati duhet të vijojë të jetë një bashkësi demokracish që respektojnë shtetin e së drejtës. Ditën e martë presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të ishte e përshtatshme që G7-a të kthehej në G8, një iniciativë kjo që u mbështet edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Por kundër është shprehur edhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenskij, i cili deklaroi se Moska vazhdon të mbajë të pushtuar Krimenë dhe të cënojë paqen në lindje të Ukrainës.
“Asgjë nuk ka ndryshuar që prej marsit të vitit 2014, kur pjesëmarrja e Rusisë në G8 u pezullua. Krimea vazhdon të jetë e pushtuar si më parë, ndërsa rajoni i Donbasit vuan ende nga lufta”, tha Zelenskij.
Duke folur nga Berlini një ditë më parë, kryeministri britanik Boris Johnson citoi rastin e helmimit të spiunit rus Sergei Skripal me agjent nervor si motiv për të mos e kthyer Rusinë në format. Po ashtu, kundër është shprehur edhe qeveria kanadeze me argumentin se Moska nuk respekton parimet e demokracisë./ABC News Albania 24/7