Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka thënë “jo” kërkesës së Federatës Shqiptare të Volejbollit për të nisur garën. Kështu ky sezon rrezikon të mos zhvillohet në kushtet aktuale ku palestrat nuk do të lejohet të hapen me justifikim e përhapjes së infeksionit COVID-19.
“Aktivitetet sportive, përfshirë këtu edhe volejbollin, konsiderohen aktivitetet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit COVID-19. Kërkesa juaj është shqyrtuar edhe në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili duke vlerësuar situatën epidemiologjike në vendin tonë, shtimin e rasteve të reja, vendosi se aktualisht nuk është e mundur hapja e aktivitetit sportiv të volejbollit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet për përhapjen e infeksionit Covid-19”, thuhet mes të tjerash në Shkresën që Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ia ka nisur Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Federatës Shqiptare të Volejbollit.
Kjo e fundit ka përcjellë më pas një shkresë për klubet që marrin pjesë në kampionatet e volejbollit. “Të nderuar, pas insistimit tonë të vazhdueshëm pranë organeve kompetente të menaxhimit të pandemisë COVID-19, sot në zyrat e FSHV-se fatkeqësisht mbërriti një përgjigje negative, e cila na ndalon organizimin e kampionateve tona, detyrim i rëndësishëm për vazhdimësinë e sportit tonë.
Ne do të vazhdojmë të insistojmë pranë këtyre organeve, të cilat e konsiderojnë sportin e volejbollit të rrezikshëm për përhapjen e COVID-19, ndërkohë që kudo si Kosova, Italia, Serbia, Mali i Zi dhe vende te tjera europiane po zhvillojnë aktivitetet e tyre ndërkombëtare në këtë sport”, i shkruan FSHV klubeve. /abcnews.al