Jetojnë mes ujërave, por nuk kanë për vaditje, banorët: Drejtuesit na thanë të presim shiun

schedule14:57 - 2 Korrik, 2021

schedule 14:57 - 2 Korrik, 2021

Mbjellin çdo vit por nuk marrin prodhime. Banorët e fshatit Tapizë të Krujës nuk kanë ujë për vaditje.

“E vetmja gjë që bëjmë është të shpresojmë të bjerë shi”, thotë një banore.

Kanë pasuri ujore, liqene dhe rezervuar të mëdhenj. Pushteti vendor nuk investon që banorët të përdorin ujin e dy rezervuarëve apo dy liqeneve.

“Misri u tha. Tani nuk mbjell më as grurë as misër”, thotë një tjetër banor.

Ata gjithashtu shprehet se investimet i kanë shkuar dëm dhe se komuna nuk ka dhënë asnjë zgjidhje.

“Ka investuar, por më ka shkuar dëm, sepse janë tharë të mbjellat”, shprehet ai.

Avid Bami thotë se ka mbjellë misër po sado që është përpjekur ta vaditë me mjete rrethanore, nuk ia ka dalë dot të shpëtojë prodhimet e veta.

“Në liqenin e Tapizës janë investuar miliona euro. Pra Tapiza ka ujë, por kanalet nuk janë pastruar dhe në këtë mënyrë janë bllokuar. Parcelat e mbjella janë tharë sikur të jemi në Sahara. I kërkova drejtuesit administrativ të lëshojnë ujin, më tha të presim shiun se do të bjerë shi pak më vonë, ”tregon ai.

Bami thekson se ka hyrë dhe në borxhe. Tani që nuk do marrë prodhime nuk di se si do ti lajë.

“Ky prodhim s’bëhet as për lopën, po vazhdoi kështu vitin tjetër s’do mbjell më, mendoj ta braktis këtë vend”, shton më tej ai.

Disa fermerë janë detyruar të hapin dhe puse.

“Unë kam hapur dy puse sepse nuk kemi ujë dhe kam shpenzuar goxha para, rreth 4 milionë e gjysmë më kanë shkuar”, tregon një tjetër banore.

Të tjerë banorë marrin ujë nga liqeni përmes pompave. Fermerët e Tapizës janë ankuar shpesh në zyrat e Bashkisë së Krujës, por askush nuk ju jep një përgjigje kur mund të investohet që t’iu sigurohet uji për vaditje./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!