“Jetoja me qepë e qofte”, lojtari i Apolonisë rrëfen hallet dhe racizmin në Shqipëri

schedule10:59 - 23 Qershor, 2020

schedule 10:59 - 23 Qershor, 2020

Effiong Eyoh është një nga të shumtët nigerianë që kanë vendosur të luajnë futboll në Shqipëri. Fillimisht anësori ka qenë pjesë e Dinamos dhe më pas provoi Superioren me Laçin. Këmbëshpejti, tani është pjesë e Apolonisë, ndërkohë që në Kategorinë e Parë ka luajtur edhe me Turbinën.

Më këta të fundit ka pasur probleme me pagesat dhe ka fituar gjyqin në FIFA. Tani pret që të marrë paratë që i takojnë. Eyoh, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, tregon se ka pasur raste kur e ka ndjerë racizmin ndaj tij, ndërkohë që tregon edhe vuajtjet e përjetuara në Cërrik.

“Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri më 24 gusht 2016. Ishin sugjerimet e disa miqve të mi dhe menaxherit tim për të luajtur me Dinamon. Aty kam pasur përvojën time të parë në futbollin shqiptar, për të vazhduar më tej me ekipe të tjera”, thotë fillimisht Eyoh.

Më tej, ai shton: “Kudo kam kaluar mirë, përveçse te Turbina. Në Cërrik kam jetuar duke ngrënë qofte e qepë dhe me lekë borxh. Nuk dua as ta kujtoj më atë kohë…”. Bukuritë natyrore të Shqipërisë i pëlqejnë, por jo mentaliteti dhe racizmi karshi tij.

“Ka pasur racizëm, shpesh madje. Edhe duke ecur në rrugë, ka njerëz që qeshin, përqeshin dhe tallen, por kam mbajtur distancë dhe nuk kam reaguar. Kjo gjë lidhet me mentalitetin jo të shëndoshë të disa njerëzve”, shprehet Eyoh, i cili në javët e fundit ka spikatur me Apoloninë, duke shënuar disa gola të rëndësishëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!