“Jepuni njerëzve një të ardhme më të sigurt”, kreu i OBSH thirrje vendeve që të finalizojnë marrëveshjen për pandemitë

schedule22:30 - 3 Maj, 2024

schedule 22:30 - 3 Maj, 2024

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus u bëri thirrje vendeve që të bien dakord për një marrëveshje për të ndihmuar në luftimin e pandemive të ardhshme ndërsa negociatat i afrohen një afati të fundit këtë muaj.

Marrëveshja e re dhe një sërë përditësimesh të rregullave ekzistuese për trajtimin e pandemive synojnë të forcojnë mbrojtjen e botës kundër patogjenëve të rinj pasi pandemia Covid-19 vrau miliona njerëz.

Vendet do të finalizojnë negociatat për marrëveshjen më 10 maj, me qëllim që ta miratojnë atë në takimin vjetor të OBSH-së në fund të këtij muaji, por burime të njohura me këtë çështje thonë se ka ende dallime të mëdha, raportoi Reuters.

“Jepuni njerëzve të botës, njerëzve të vendeve tuaja, njerëzve që përfaqësoni, një të ardhme më të sigurt”, tha Tedros në takimin në Gjenevë.

Tedros inkurajoi vendet që nuk ishin plotësisht dakord me tekstin e marrëveshjes që të paktën të përmbahen nga bllokimi i konsensusit midis 194 vendeve anëtare të OBSH-së.

Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes midis vendeve të pasura dhe vendeve në zhvillim është çështja e shpërndarjes së drejtë të ilaçeve dhe vaksinave për të shmangur përsëritjen e dështimeve të epokës Covid.

E vetmja herë në historinë 75-vjeçare të organizatës që vendet anëtare të OBSH-së kanë qenë në gjendje të bien dakord për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme siç është një marrëveshje pandemike ishte marrëveshja për kontrollin e duhanit në vitin 2003, sipas Reuters./abcnews.al