Presidenti i Guineas, Bissau Umaro Sissoko Embalo, ka zhvilluar një vizitë në Beograd ku është takuar me homologun e tij serb Aleksandër Vuçiç.
Mediat serbe shkruajnë se në konferencën e përbashkët të dy liderëve presidenti i Guineas ka përmendur vazhdimisht traditën e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve që nga koha e Titos duke shtuar se delegacioni i këtij vendi është shumë i lumtur që ndodhet në një vend vëllazëror, duke iu drejtuar presidentit serb si “vëlla Vuçiç”.
Përfaqësuesit e dy vendeve kanë nënshkruar një memorandum për krijimin e një mekanizmi të përhershëm konsultativ diplomatik.
Në konferencën e përbashkët, pas bisedimeve të dy liderëve në mënyrë private dhe takimit plenar të delegacioneve të dy vendeve, të dy presidentët thanë se do të punojnë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore.
Sissoko Embalo tha se nënshkrimi i dy marrëveshjeve pasqyron vazhdimësinë e marrëdhënieve tradicionale ndërmjet Serbisë dhe Guinea-Bissau.
“Kemi pasur marrëdhënie miqësore tradicionalisht që nga koha e Marshallit Tito, një prej themeluesve të Lëvizjes së të Painkuadruarve. Gjatë luftës për çlirim kemi pasur përkrahje të madhe nga vëllezërit tanë nga ish-Jugosllavia. Serbia është një vend vëllazëror për ne dhe ne do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë”, tha Sisoko Embalo.
Ai ftoi Vuçiç për të vizituar Guinea-Bissau, të cilën presidenti i Serbisë e pranoi duke thënë se “me kënaqësi do t’i përgjigjet ftesës për ta vizituar atë vend afrikan në tetor ose nëntor”./abcnews.al