Partitë politike vijojnë që të shkelin rregullat anti-covid edhe pas apeleve dhe gjobave që janë vendosur. Drejtuesi politik i PD-së në qarkun e Kukësit, Flamur Hoxha ditën e sotme është prezantuar në Tropojë në shkelje të masave. Besnik Dushaj ka postuar në Facebook fotot e takimit, ku duket qartë se janë të pranishëm thuajse sa trefishi i numrit të lejueshëm të qytetarëve në takime elektorale.
“Sot, në Bajram Curri, me kryesinë e Partisë Demokratike-Dega Tropojë dhe me grupseksionin Tropojë e Vjetër, në prezantimin e drejtuesit politik të qarkut Kukës, z.Flamur Hoxha. Tropoja është dhe do mbetet kështjella e pamposhtur e demokracisë.
Fitorja e thellë e Partisë Demokratike nis nga Qarku Kukës me Flamur Hoxhën dhe Isuf Çelën” shkruan Dushaj. Në takim janë të paktën 27 qytetarë pa distancë dhe disa prej tyre pa maskë. Deri tani janë gjobitur për shkelje të masave, Monika Kryemadhi, Endrit Braimllari, Blendi Klosi, por edhe përfaqësues të PD-së.